Një përvjetor i ri me pritje të reja

Prishtinë | 17 Shk 2020 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Kosova po shënon një tjetër përvjetor të pavarësisë së saj, pa e përmbyllur ende dialogun me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve si dy shtete sovrane.

Edhe pas 12 vjetëve të shpalljes së pavarësisë, arritja e kësaj marrëveshjeje, po shihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, si thelbësore drejt tejkalimit të barrierave që ka Kosova për rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ecur tutje drejt anëtarësimit një ditë edhe në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO.

Shënimi i 12-vjetorit të pavarësisë, nga aspekti i brendshëm politik, Kosovën e gjen me një rotacion qeverisës si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, 2019, kur edhe ndodhi ndryshimi politik i forcave që dikur ishin në opozitë dhe tani janë në pushtet.

Me Albin Kurtin në kryetë qeverisë së koalicionit që u arrit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, votuesit që ia besuan atij (Kurtit) votën presin ndryshimin, sikurse edhe komuniteti ndërkombëtar që mbetet kurreshtar nëse në Kosovë ka tani një lider që do t’i çojë proceset përpara.

Përderisa qeveria e re e Kurtit nuk e ka mbushur as një muaj të punës, gjithçka mbetet në suaza të pritjeve, analizave e supozimeve.

Numri “X” i njohjeve

Ngjashëm me përvjetorët e kaluar, edhe sivjet Kosova feston si vendi më i izoluar në kontinentin e vjetër, pa pasur një qartësi rreth liberalizimit të vizave, një proces që lidershipi dhe qytetarët e Kosovës po e presin të ndodhë që nga viti 2010.

Njëherësh, edhe procesi integrues i Kosovës në BE mbetet i sfiduar seriozisht nga fakti se ende janë pesë shtete anëtare të këtij unioni që nuk e njohin atë si shtet.

Paradoksi që e ndjek shtetin e Kosovës është edhe numri “X,” i panjohur, i vendeve që e njohin atë si shtet.

Që nga shënimi i jubileut të parë të pavarësisë, dy vjet më parë, Kosova numëronte 116 njohje, kurse në 11-vjetorin e saj e aq më pak në 12-vjetorin e sivjetmë të pavarësisë, askush nga institucionet nuk mund ta konfirmojë më saktë./rel/

Të ngjashme