Një vit nga propozimi për Gjendjen e Jashtëzakonshme

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 20:40 | Nga Ekonomia Online

Tash një vit, 17 kosovarë ishin infektuar me koronavirus.

Nga profesionistët shëndetësorë konsiderohej të kishte filluar faza kritike e përhapjes së virusit, prandaj edhe drejtuesit e qeverisë ishin në stres.

Shefi i atëhershëm i vendit, Hashim Thaçi, kishte mbledhur mbrëmjen e 17 marsit Këshillin e Sigurisë për t’u konsultuar rreth shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Por, kundër këtij propozimi ishte kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, qëndrimin e të cilit e deklaroi zëvendësi i tij, Haki Abazi.

Megjithatë dikush nga Qeveria Kurti e që ishte Agim Veliu, Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, ishte pro propozimit të Thaçit dhe këtë e kishte deklaruar në një emision në Klan Kosova.

Kjo deklaratë nuk i pëlqeu Kurtit, sidomos që vinte nga partneri i koalicionit. Në fakt, qëndrimi i Veliut çoi në shkarkimin e tij, por edhe në rrëzimin e Qeverisë Kurti.

E krahas këtyre kontradikatve dhe mospajtimeve ndërqeveritare, situata me COVID-19 vinte duke u përkeqësuar.

Kështu qeveria mori vendim të kufizojë lëvizjen për qytetarët e të vë orën policore, menjëherë pas vdekjes së 85 vjeçarit që u bë viktima e parë në Kosovë e virusit famëkeq.

Në anën tjetër, Thaçi vendimin e qeverisë për të kufizuar lëvizjen e kishte dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo e fundit vendosi në favor të shefit të shtetit pasi vendimi i qeverisë për orën policore doli të jetë antikushtetues, por megjithatë Kushtetuesja nuk e shfuqizoi atë deri më 13 prill.

Në fakt nga 13 prilli ishte larguar vendimi i kufizimit të lëvizjes nga ana e Qeverisë së Kosovës, por të njëjtat kufizime që Kushtetuesja i vlerësoi se nuk janë në përputhje me aktin më të lartë juridik vazhduan përsëri – veçse të marra jo nga ekzekutivi, por nga Ministria e Shëndetësisë.

Por megjithë mospajtimet në këtë drejtim, infektologu, Shemsedin Dreshaj, thotë se izolimi dhe mbyllja para një viti ishte e nevojshme.

E tash që konkretisht janë 692 raste të të infektuarve më shumë se sot një vit, Dreshaj kërkon nga qytetarët kujdes, sidomos në masat obligative kundër COVID-19.

E vetë qytetarët thonë se janë të gatshëm të respektojnë masat, por se ata nuk duan që vendi të mbyllet sikur tash një vjet.

Më 4 majin e një viti më parë në Kosovë kishin filluar lehtësimet e para të masave që u zhvilluan në tri faza, derisa aktualisht jeta në vend është duke u zhvilluar normalisht ani se në ditë numri i të infektuarve kalon numrin 700.

Të ngjashme