Njëri nga themeluesit e LDK-së paralajmëron katastrofë elektorale të kësaj partie

Prishtinë | 01 Dhj 2020 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe humbja e LDK-së në Podujevë, që njihet si bastioni i saj, duhet të shërbejë si moment reflektimi për partinë e Isa Mustafës. 

Partia e themeluar në vitin 1989, që nga paslufta nuk ka bërë asnjë lloj përpjekje për t’u reformuar.

Kështu ka deklaruar në një prononcim për IndeksOnlinen, njëri nga themeluesit e LDK-së dhe njohësi i rrethanave politike në vend, Milazim Krasniqi.

Sipas tij fitorja e Vetëvendosjes ka qenë e pritshme, për shkak të trendit të rritjes së saj që nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.

“Unë besoj që fitorja e Vetëvendosjes ka qenë e pritshme, sepse është një trend i rritjes së saj nga 6 tetori  kështu që ai trend më duket se nuk është konsumuar, për shkak se Qeveria e Kurtit është rrëzuar pas 50 ditëve, ashtu që shumë gjëra në kokën e elektoratit kanë mbetur në njëfarë iluzioni të vagullt se ajo Qeveri do të bënte mrekullira dhe kjo është arsyeja pse ai trend i rritjes elektoratit të Vetëvendosjes ka mbetur aktiv”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij  kjo nuk është arsyeja e vetme që LDK-ja ka humbur tashmë në bastionin e saj.

Mosreformimi i partisë së Mustafës dhe moszgjedhja e një lideri të ri të kësaj partie, është problemi më serioz që ka LDK-ja.

“Unë besoj që Lidhja Demokratike e Kosovës ka një problem shumë më të thellë se sa humbja në Podujevë. LDK-ja është parti që pas lufte nuk ka bërë asnjë lloj përpjekje për tu reformuar, por ka mbetur e barrikaduar, në taktikat, në metodat dhe në mentalitetet e vjetra. Në LDK faktikisht ka ndodhur edhe konsumimi i qeverisjes për 20 vjet, se në Podujevë, LDK-ja prej vitit 2001 është në pushtet kështu që edhe kjo ka tagrin e saj dhe më e rëndësishmja në këtë histori është se LDK-ja ka bërë  gabim strategjik në Kuvendin e saj të kaluar kur nuk ka zgjedhur një lider të ri me të cilin do të konkurrente në mënyrë unike për kryeministër por mbeti me liderin e vjetër, një kandidatë tjetër për kryeministër dhe ka ardh deri te qarja. Ashtu që dëme në lidhje me Vjosa Osmanin besoj e ka tagrin e vet edhe në këtë humbje, sepse një pjesë e elektoratit është hutuar, është dëshpëruar me krizën e brendshme që ka LDK-ja”, nënvizoi Krasniqi.

Ajo çka tani pas kësaj humbje, duhet të bëj LDK-ja, siç ka thënë Krasniqi, është mbajtja e një kuvendi të ri të partisë e ku do të zgjidhje lideri i ri i saj, e i cili do të ishte adresa afatgjate ku anëtarësia e saj do t’i varte shpresat.

Krasniqi ka shprehur bindjen e tij se edhe zgjedhjet e përgjithshme në vend nuk do të vonojnë e që lidhen me zgjedhjen e presidentit e po ashtu numrit të paktë të votave që ka koalicioni qeveritar. E në një situatë të tillë nëse LDK-ja nuk del si parti e reformuar, duke ofruar figura të reja dhe të krijoj program që i përgjigjet kohës në të cilën jetojmë, do të ishte katastrofale për të.

“Unë jam i bindur se zgjedhjet nuk do të vonojnë shumë për shkak të krizës për mënyrën e zgjedhjes së presidentit por edhe për shkak  të numrit të paktë të votave që ka koalicionin në parlament dhe gjithë këtë që po ndodh në Kosovës dhe rreth saj. Prandaj nëse LDK-ja nuk shkon në kuvend dhe nuk e zgjidh çështjen qartë edhe të liderit të ri edhe të raportit me Vjosa Osmanin, unë jam i bindur se nëse shkon në zgjedhje me këtë gjendje mund të pësojë katastrof elektorale”, tha Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme