Njeriu që do të ulet në karrigen e Agim Veliut flet pas kandidimit për kryetar të Podujevës

Prishtinë | 09 Qer 2021 | 21:49 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e LDK-së, Ekrem Hyseni ka folur pas zyrtarizmit të tij si kandidat në zgjedhjet lokale.

Hyseni, i cili do ta zë karrigen e ish-kryetarit, Agim Veliu, tha se qytetarët e Podujevës ka kohë që kanë kërkuar që ai të garojë për kryetar të Podujevës, dhe siç thotë ai, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka dëgjuar me kujdes kërkesat e qytetarëve të Podujevës.

“Ka rreth dy dekada që e ushtroj profesionin e mjekut i cili më shumë se gjithçka tjetër, më lidhë emocionalisht me fatet dhe përjetimet njerëzore. Duke qenë kështu, përherë, secilin përjetim të tyre e kam marrë afër zemrës dhe këtë jam munduar ta kthej në përkushtim më të madh në punë. Siç e dini, duke dashur që përherë të jem në shërbim të njerëzve, jam angazhuar edhe politikisht duke ju përfaqësuar gjatë një mandati në Parlamentin e Republikës, si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë këtij angazhimi, një kërkesë që s’ka reshtur asnjëherë nga llapjanët e sidomos aktivistët, veprimtarët e përfaqësuesit e strukturave të LDK-së ndaj meje, ishte që t’i hyj garës për të parin e Podujevës dhe t’i prij këtij procesi me idenë për të bashkëpunuar me të gjithë, e së bashku për t’i hapur dyert për t’i angazhuar të rinjtë profesionistë e për ta avancuar rolin e gruas në shoqërinë tonë”, shkroi Hyseni në Facebook.

Ai po ashtu njoftoi se ka marrë kompetencat për ta drejtuar degën e LDK-së në Podujevë.

“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dëgjuar me kujdes kërkesat e llapjanëve dhe me propozim të tij, Kryesia e LDK-së, sot, e miratoi kandidaturën time për kryetar të Komunës së Podujevës dhe marrjen e kompetencave për ta drejtuar Degën e LDK-së në Podujevë.

Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe sepse siç e thashë në fillim të këtij postimi, unë lidhem ngushtë me fatet dhe përjetimet njerëzore. Kjo, domosdoshmërisht çon në dëgjimin me kujdes të secilës kërkesë që vjen nga ju dhe shikimin e mundësive për të gjetur zgjidhje. Zgjidhjet e problemeve duan përkushtim dhe punë. Duan profesionistë të fushave të ndryshme. Duan angazhim maksimal 24 orë – 7 ditë në javë”,vazhdoi Hyseni.

Kandidati për kryetar të Podujevës thotë se qytetin do ta kthejnë në vendin e parë, aty ku e meriton.

“Do t’i prijë këtij procesi me secilën e secilin prej jush që e doni Llapin tonë të zhvilluar në nivelin që e meriton. Kam nevojë për angazhimin e secilit aktivist e veprimtar. Unë i prijë garës dhe gjithë këtij procesi, por, kjo s’më bën aspak më të rëndësishëm se secilin prej votuesve, aktivistëve e veprimtarëve, pa angazhimin e të cilëve, Podujeva nuk do të ishte bastion i LDK-së. Bashkë me ju, do t’ia kthejmë shkëlqimin Komunës së Podujevës, Llapit tonë, dhe LDK-në do ta kthejmë në vendin e parë, aty ku e meriton. Me këtë rast, dua të ftoj të gjithë aktivistët tanë që e kanë pushuar aktivitetin për arsye të ndryshme, që të kthehen në shtëpinë e tyre. Do t’i mirëpres dhe dëgjoj të gjithë me shumë kujdes, sepse ne nuk kemi njerëz për të humbur”, shtoi Hyseni.

Ai po ashtu njoftoi se ditëve në vijim do të mbahet mbledhja e kryesisë së degës, ku do të formohet Shtabi Zgjedhor.

“Ditëve në vijim do ta mbajmë mbledhjen e Kryesisë së Degës, do ta formojmë Shtabin Zgjedhor dhe do të dalim me listën e kandidatëve për Asamble Komunale e cila ju siguroj se do të jetë gjithëpërfshirëse dhe lista fituese e Podujevë”.

Sot, Abdixhiku zyrtarizoi 8 kandidime për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor.

Të ngjashme