Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës nisen drejt Mitrovicës pas paralajmërimeve për protesta

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Serbët e Kosovës kanë paralajmëruar protestë për ditën e sotme lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Protestën dy ditë më parë e paralajmëroi kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i cili tha situata nuk ka qenë kurrë më e rëndë në Kosovë dhe se sipas tij ndaj serbëve po ushtrohet dhunë institucionale.

“Ne do të luftojmë në mënyrë demokratike dhe të premten do të kemi protesta paqësore si një formë e luftës sonë me një mesazh të qartë, se ne nuk duam të jemi qytetarë të dorës së dytë dhe se askush në shekullin 21 nuk na mohon të drejtat tona themelore. Ne kemi pasur një ditë të gjatë dhe të vështirë.Kkjo pasqyron atë që ne si popull po kalojmë aktualisht në Kosovë ”, tha Jevtiq ditë më parë.

Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë nisur drejt Mitrovicës pas këtyre paralajmërimeve për protesta.

Në pamjet e publikuara nga RTV Dukagjini shihen autoblinda të shumta të Policisë, të cilat sipas televizionit po nisen drejt Mitrovicës.

Reagime të shumta tek serbët gjatë ditës së djeshme ngjalli edhe suspendimi i Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pas pjesëmarrjes së saj në takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Serbisë, bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos i bashkohen kësaj proteste.

Të ngjashme