Norvegjia e mbyll Ambasadën në Kosovë

Prishtinë | 09 Sht 2022 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka njoftuar se nga fillimi i vitit 2023 do të mbyllë Ambasadën në Kosovë dhe në tri vende të tjera.

Marrëdhëniet diplomatike, nga viti 2023, thuhet se do të zhvillohen përmes marrëveshjeve alternative, pra përgjegjësia do t’i jepet një ambasade norvegjeze që gjeografikisht është afër ose një ambasador me bazë në Norvegji do të emërohet për Kosovë.

“Nuk është kurrë e lehtë të vendosësh të mbyllësh misionet norvegjeze. Mbylljet si këto ndikojnë në jetën e diplomatëve norvegjezë dhe kanë pasoja edhe më të mëdha për stafin e punësuar. Por, ne kemi një përgjegjësi që të përdorim burimet tona në një mënyrë që na mundëson të mbrojmë interesat norvegjeze në mënyrë sa më efektive të jetë e mundur”, ka deklaruar Anniken Huitfeldt, ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Sipas njoftimit, Norvegjia në vitin 2023 do të mbyll ambasadat në Bratislavë (Sllovaki), Kolombo (Sri Lanka) dhe Prishtinë (Kosovë), zyra e ambasadës në Antananarivo (Madagaskar) dhe Konsullata e Përgjithshme në Hjuston (SHBA).

“Marrëdhëniet diplomatike të Norvegjisë me Kosovën, Madagaskarin, Sllovakinë dhe Sri Lankën do të trajtohen përmes marrëveshjeve alternative, për shembull përgjegjësia për këtë do t’i jepet një ambasade norvegjeze afër, ose një ambasador me bazë në Norvegji do të emërohet për vendin në fjalë”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme