Nuk e di kush do të akuzohet nga Specialja, thotë presidenti

Prishtinë | 01 Shk 2018 | 22:20 | Nga

Ende nuk dihet kush do të jenë të akuzuarit e Gjykatës Speciale, madje këtë nuk e di as presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Por, presidenti thotë se askush nuk duhet të ketë frikë, sepse lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër.

“Nuk e di kush do të akuzohet në Gjykatën Speciale dhe as për çfarë do të akuzohet. Por, nuk ka nevojë që të frikësohet askush, lufta jonë ka qenë e drejtë. Ka qenë nevojë dhe domosdoshmëri ekzistenciale lufta për të fituar lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë Thaçi në Zona e Debatit.

“Askush s’ka arsye të frikësohet, as të fsheh asgjë, ka qenë një luftë e shenjtë, por gjithashtu askush në Kosovë nuk e di kush do të jetë në mesin e të akuzuarve”.

Thaçi shtoi se Gjykata është një çmim që duhet paguar për lirinë e fituar.

“Po, kjo gjykatë është një çmim i lirisë të cilin duhet ta paguajmë, përpos që kemi marrë obligim, kemi obligim edhe bashkëpunimin dhe për këtë kemi treguar bashkëpunim për aq sa na është kërkuar”.

“Qëndrimi jonë është i qartë; gjykata është themeluar, nuk do të ndodhë shfuqizimi, ky është qëndrimi i shteti të Kosovës”.

Thaçi është pyetur edhe për vete, se a e di nëse do jetë një nga të akuzuarit.

“Dëshiroj të potencoj se gjërat nuk duhet të personalizohen, raporti i Dick Marty është publik, njëherë kam menduar që të ngris padi ndaj ti, po për shkak të imunitetit që e ka nga këshilli i Europës nuk kemi mundësi legale”.

Ndjehem shumë krenar me atë që kam bërë gjatë luftës për të udhëhequr UÇK-në në rrafshin politik dhe kjo më bën nderin dhe krenarin më të madhe në jetën time”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme