Numërohen gjysma e votave me kusht, refuzohen 22 mijë e 591 zarfe me fletëvotime nga diaspora

Prishtinë | 01 Mar 2021 | 17:18 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar më shumë se gjysma e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, ndërsa pas kësaj pritet të fillojë numërimi i votave të diasporës, ku sipas KQZ-së deri më tani janë refuzuar 22 mijë e 591 zarfe me fletëvotime, raporton Ekonomia Online.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Menjëherë pas tyre, do të fillojmë me numërimin e votave nga jashtë Kosovës”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas të dhënave janë rreth 32 mijë fletëvotime të konfirmuara me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, të cilat janë pjesë e procesit të numërimit. Deri më tani janë numëruar më shumë se gjysma e tyre.

Pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, këtu në QNR do të fillojmë me numërimin e votave nga jashtë vendit, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt.

“Tashmë, shërbimi votues i KQZ-së ka përmbyllur vlerësimin dhe verifikimin e pakove të supozuara me fletëvotime. Nga numri total i pakove të proceduara, pas procesit të vlerësimit janë aprovuar 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime dhe janë refuzuar 22 mijë e 591 zarfe me fletëvotime”, tha tutje ai.

Arsyet e refuzimit janë të ndryshme dhe janë të kategorizuara në 7 grupe kryesore:

9 mijë e 199 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës;

6 mijë e 665 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore;

1 mijë e 325 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë;

2 mijë e 451 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor);

910 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim;

1 mijë e 656 zarfe me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar. Pra, brenda një pakoje/dërgese kanë qenë nga 84, 39, apo 37 zarfe të individiualizuara me fletëvotime jashtë rrethit të ngushtë familjar; dhe

385 pako me fletëvotime që janë dorëzuar personalisht në postën numër 6 në Kosovë dhe nuk përmbajnë vulën dhe as pullën postare të postës dërguese.

Të ngjashme