Nurellari: Në Vjenë negociuam për të blerë një lopë, morëm një dele

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Analisti Adri Nurellari ka thënë se për ta bërë shtetin e mirëfilltë dhe të qëndrueshëm, ashtu siç e aspirojnë shqiptarët duhet të punohet shumë më tepër.

“Pavarësisht kurajës dhe vullnetit të mirë – kërkohet shumë punë në bërjen e shtetit”, ka thënë Nurellari në Zonën B.

“Ne shqiptarët jemi fatlumë, do të donim të shkonin më mirë këto dhjetë vjet – do të kishim dashur të shkonte më lehtë edhe pavarësimi, por ky është shtetndërtimi jonë me të mirat dhe të këqijat e veta”.

Nurellari ka folur edhe procesin e Vjenës dhe Pakon e Ahtisarit.

“Për hir të së mirë supreme që ne kemi aspiruar si pavarësia dhe njohjet ndërkombëtare – ne kemi bërë kompromis duke menduar se po merrnim njohjen e Serbisë dhe futjen në OKB”.

“Dmth ne kemi negociuar për të blerë një lopë dhe morëm një dele”.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve Nurellari ka thënë se Kosova është shtet funksional, që ia ka dalë në shumë drejtime.

“Pavarësisht mënyrës sesi është ndërtuar Kosova ia ka dale t’i kapërcejë hapat e dekolonizimit dhe ia ka dalë të jetë i ngjashëm apo edhe i krahasueshëm në shumë nivele me shtetet fqinje”.

“Në shumë aspekte të shtetëndertimit Kosova ia ka dalë të arrijë standardet në funksionimin e institucioneve që janë konkurruese me vendet fqinje”.

“Kosova ia ka dalë ta rindërtojë vendin pas luftës dhe ka arritur ta mbajë borxhin publik më të ulëtin në rajon. Kosova ka pasur rritjen ekonomike më të madhen në rajon. Është konsideruar për vite me radhë edhe si top-reformatore nga Banka Botërore. Krimi prapë është më i ulët sesa në Shqipëri, Serbi dhe Mali i Zi”.

“Ne ia kemi dalë ta ndërtojmë një shtet funksional me hapa të ngadalshëm por të sigurt. Kështu duke u bërë e pranueshme në arenën ndërkombëtare dhe është duke u konsoliduar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme