Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari nëpërmjet një postimi në Facebook ka kritikuar qeverinë e Kosovës për krizën energjetike që e ka kapluar vendin.
Nurellari në postimin e tij thotë se qeveria e Kosovës ka pasur mjaftueshëm kohë për të lidhur kontrata në një kohë kur çmimet e energjisë nëpër bursa kanë qenë të arsyeshme.
Gjithashtu, ai potencon se ka pasur mundësi që në buxhetin e miratuar në tetor të parashikohej kosto e shtuar e çmimit ndërkombëtar në rritje dhe të dedikonte fonde për subvencionimin e bizneseve apo shtresave sociale.
Deklarata e plotë e Adri Nurellarit:
Kriza energjitike botërore u paralajmërua që në fillim të vitit, kështu që qeveria e Kosovës ka pasur boll kohë për të lidhur kontrata në një kohë kur çmimet e rrymës nëpër bursa ishin ende të arsyeshme. Është fakt i ditur nga të gjithë që gjatë dimrit prodhimi vendas nuk përballon dot konsumin në rritje e çdo qeveri duhet të përgatitet për import.
Po ashtu ka pasur mundësi që në buxhetin e miratuar në tetor të parashikonte kostot e shtuara të çmimeve ndërkombëtare në rritje dhe të dedikonte fonde për të subvencionuar bizneset apo shtresat sociale që dëmtohen më shumë.
Por ajo që është më e rëndësishme është të theksohen arritjet strategjike në fushën e energjisë për këtë kryeministër të papërgjegjshëm që është i aftë vetëm për demagogji.