Nurellari: Rasti i Agonit dëshmon që Vetëvendosja nuk punon as për barazi e as për më të dobëtit

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari politik i kryetarit të PDK-së, Adri Nurellari, ka bërë një koment në rrjetet sociale lidhur me rastin e vetëvrasjes së 26 vjeçarit Agon Musliut, në karantinën e Qendrës Studentore. Sipas tij ky rast tregon se Vetëvendosja ka mashtruar me pretendimet se është një parti që kërkon barazi e që kujdeset për më të dobtit e nevojtarët sepse në realitet privilegjon militantët dhe më të fuqishmit.

Nurellari deklaron se qindra qytetarë të riatdhesuar janë trajtuar në mënyrë selektive e kanë shpëtuar prej kufizimit të lirisë të karantinimit ose kanë dalë para kohe prej aty, sepse kanë qenë militantë politik ose kanë pasur pushtet e lidhje politike. Ai shton se janë detyruar të hyjnë në karantinë vetëm një pjesë e vogël që nuk kanë pasur lidhje, te njofshëm apo mundësi ndikimi. Prandaj, thekson ai “kur je i dobët, i pafuqishëm e i rrezikuar siç qe Agon Musliu, pushteti i Vetëvendosjes nuk kujdeset aspak për ty”.

Postimi i plotë i Nurellarit është si më poshtë:

Lëvizja Vetëvendosje gjithë kohën me llafe a ka shitur veten si parti që kujdeset për më nevojtarët, më të dobtit apo më të margjinalizuarit, por braktisja e neglizhenca ndaj Agon Musliut, dëshmoi se në të vërtetë kjo forcë politike kujdeset vetëm për militantët e saj dhe për më të privilegjuarit që kanë pushtet, para apo të njofshëm.

Rasti dramatik i 26 vjeçarit nga Gjilani, Agon Musliut, demaskoi hipokrizinë ideologjike të Vetëvendosjes duke treguar për qasjen abuzuese e selektive të menaxhimit të situatës nga Lëvizja Vetëvendosja. Faktet po demonstrojnë se qytetarët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë nga kjo parti por me standarde të dyfishta. Janë me qindëra persona të riatdhesuar, që duhej të ishin në karantinë sot, por që në mënyrë arbitrare e selektive ose i janë shmangur karantinës ose janë nxjerrë para kohe.

Nga 147 persona të riatdhesuar që ishin në avionin me të cilët erdhi Agon vetëm 9 u dërguan në karantinë. E njëjta gjë ka ndodhur me mbi 1500 të riatdhesuarit që kanë mbërritur me avion në aeroportin e Prishtinës muajin e kaluar, nga ku vetëm një pjesë e vogël që nuk kanë pasur lidhje, te njofshëm apo mundësi ndikimi, janë detyruar që të qëndrojnë në karantinë. Një pjesë e madhe e tyre që kanë pasur autoritet e pushtet, ia kanë dalë që të evitojnë kufizimin e lirisë së karantinës e të shkojnë në shtëpi për vetë-izolim.

Pra duket qartazi që mund të shpëtosh nga karantina nëse ke lidhje politike, sikurse ndodhi me militantët të LVV-së të nxjerrë kinse me justifikimin e problemeve shëndetësore mendore. Po ashtu, nëse je i pushtetshëm ose mbase ke para për të korruptuar dikë mund të evitosh tërësish karantinën tek Qendra Studentore me pretendimin se po vetë-karantinohesh.

Ama kur je i dobët, i pafuqishëm e i rrezikuar siç qe Agon Musliu, pushteti i Vetëvendosjes nuk kujdeset aspak për ty. Nuk i dëgjon klithjet për ndihmë as përkujdeset për ty pavarësisht se ka përgjegjësi institucionale në kushtet kur të ka privuar nga liria me detyrim për të të mbajtur në karantinë.

Zyrtarët e Vetëvendosjes jo vetëm që e neglizhuan dhe injoruan këtë qytetar të brishtë kur më së shumti kishte nevojë për ndihmë, por pas vdekjes së tij përpiqen që të shmangin përgjegjësinë ligjore por edhe morale që kanë pasur për jetën e tij. Madje ministri i shëndetësisë në detyrë i Vetëvendosjes edhe mashtron haptazi duke thënë që nuk janë paraqitur dokumente për problemet shëndetësore të Agonit, gjë që u demantua menjëherë nga faktet e nxjerra prej medias.

Të ngjashme