Nurellari: Vetëvendosja dështoi në imitimin e fushatës elektorale me vaksina të Ramës

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Adri Nurellari i Partisë Demokratike të Kosovës ka komentuar mbi lajmin e fundit të mediave për skadimin e 130 mijë vaksinave, duke e konsideruar si provë të dështimit të strategjisë së Qeverisë së Vetëvendosjes për t’i instrumentalizuar vaksinat si pjesë të fushatës elektorale.

Sipas tij kjo qeveri është përpjekur që të imitojë Edi Ramën i cili e përdori me sukses vaksinimin masiv pak javë para zgjedhjeve, për të fituar vota.

Sipas tij “sikurse edhe kryeministri i Shqipërisë, kryeministri aktual e la importimin dhe administrimin e vaksinave për moment të fundit duke shpresuar që të shërbenin si asi në mëngë për vota”

Nurellari, i cili para pak ditësh është zgjedhur si Sekretar për Politika Programore i PDK-së, thekson se qeveria e Vetëvendosjes ka dështuar në imitimin e strategjisë së suksesshme elektorale të qeverisë socialiste, së pari sepse nuk di të menaxhojë, sikurse edhe po e tregon situata e shërbimit diplomatik. Po ashtu për dështimin e vaksinimit, ai bën fajtor edhe ministrin Vitia për të cilin thotë se ka neglizhuar detyrën e ministrit të shëndetësisë për t’u marrë me fushatën zgjedhore të Prishtinës.

Së fundmi, anëtari i kryesisë së PDK-së, thekson se qeveria aktuale po e tejkalon paraardhësen e LDK-së me dështimin e menaxhimit të pandemisë. Ai thotë se për këtë qeveri ballafaqimi me pandeminë ka qenë shumë më e lehtë sesa për qeverinë e Hotit, sepse ka kaluar një vit prej nisjes së pandemisë dhe virusi është më i njohur dhe protokollet mjekësore dhe masat efikase për tu ballafaquar me të tashmë janë sprovuar.

Të ngjashme