Nushi nga Vetëvendosje: Ka fryrje të votave për Kurtin

Prishtinë | 22 Jan 2018 | 18:22 | Nga

Ish Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Nol Nushi, ka thënë se procesi i së dielës të zgjedhjeve për kryetar të kësaj lëvizjeje nuk ka shkuar si është më së miri.

“Kulmoi një proces që nuk shkoi në mënyrën më të mirë, sidomos nga transparenca që është një prej kryefjalëve të zotit Kurti”, ka thënë Nushi, njofton Klan Kosova.

“Këto shifra janë njëfarë treguesi. Nuk mund të them se ata që nuk kanë dalë janë kundër zotit Kurti”.

“Problemet në VV kanë zhgënjyer edhe anëtarësinë tonë. Është hera e parë që është bërë fushatë, ka pas një organizim të madh logjistik. Anëtarët nuk kanë mundur të qëndrojnë të verbër përballë problemeve. Janë shifra shqetësuese”.

“Ato nuk janë reale, sepse nëse shihen nga dega, flasin për fryrje të votave për të ia rritur legjitimitetin zotit Kurti”, ka thënë ai.

Nushi ka pohuar se në komuna të vogla si Klina, ka pasë dalje më të madhe sesa në qendrat e mëdha si Pejë dhe Gjakovë.

Vetë Nushi ka thënë se nuk ka marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve të brendshme.

“Nuk kam dalë sepse nuk kam dashur ta legjitimoj një proces të tillë”.

“Nuk kishte urgjencë të shpalljes së zgjedhjeve të brendshme derisa zoti Kurti ka qenë në burg. Albini pa asnjë nevojë kandidoi nga burgu, pa njoftuar askënd. Albinin e kemi marrë vesh se do të kandidojë vetëm kur e ka dorëzuar kandidaturën. U krijua njëfarë vetëviktimizimi se Albini dëshiron të eliminohet nga organizata”, ka shtuar ai.

Nushi po ashtu ka treguar se është shkarkuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm pa asnjë paralajmërim nga pozita e Kryetarit të Komisionit Zgjedhor të Vetëvendosjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme