O’Connell jep ultimatum: Kosova të mos jetë çerdhe e korrupsionit, po turpërohemi

Prishtinë | 18 Dhj 2018 | 11:18 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasador i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, ka thënë se niveli i korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet i lartë, raporton Ekonomia Online.

Madje Kosovën, ai e ka quajtur çerdhe të korrupsionit. Por i pari i Britanisë së Madhe në Kosovës, në tryezën me temën “Integriteti i sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit” organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), shtoi se bashkësia ndërkombëtare nuk do të tolerojë që të vazhdohet me këtë avaz.

Përderisa drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka prezantuar mënyrën se si janë proceduar rastet e korrupsionit ku janë të përfshirë zyrtarë të profilit të lartë, nga këto të dhëna del që vetëm ish-kryetari i Komunës se Kllokotit është dënuar me aktgjykim të formës se prerë, dhe atë me kusht, O’Connell tha se ndihet i turpëruar.

“Më vjen marre pas raportit të Ehatit me thënë që si ambasadë britanik i kemi sjellë prioritet luftimit të korrupsionit në Kosovë, sepse krejt i kemi dëgjuar rezultate. Ka ardhur koha, e kam të qartë që Kosova është qind për qind për luftimin kundër korrupsionit. Dalja e EULEX-it është diçka për tu mirëpritur sepse është e qartë që kush ka përgjegjësinë për këtë luftë në Kosovë”.

“Bashkësinë ndërkombëtare kërkon diçka prej Kosovës, nuk është ofertë prej nesh, por është kërkesë, që Kosova të mos jetë çerdhja e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sepse me pasë një vend të korruptuar mund të pastrohen, mund të ketë strehimore është rrezik për ne dhe Evropën”.

“Nuk do të pranojmë më dhe kjo d.m.th që është e rrezikshme për Kosovën. Nëse Kosova nuk do të jetë në anën e drejtësisë por në anën tjetër kjo do jetë e rrezikshme për Kosovën”.

Sipas tij, me rezultatet e treguara po krijohet ambienti që korrupsioni të lulëzojë dhe se lufta kundër korrupsionit po mbetet vetëm në letër, raporton EO.

Madje britaniku pohoi se ka kaluar koha kur ndërkombëtarët duhet të mbajmë përgjegjësinë për nivelin e lartë të korrupsionit.

“Me këto rezultate po krijohet ambienti që korrupsioni të lulëzojë. Gjetjet po dëshmojnë se lufta kundër korrupsionit po mbetet vetëm në letër. Nëse ndikimet politike janë aq të pashmangshme, është koha të lëshoni rrugë, është koha për ata heronj të drejtësisë, shpresoj që janë prezentë në këtë dhomë, të dalin”.

“Ka shkuar koha kur ne do të mbajmë përgjegjësinë si ndërkombëtarë. Ne do jemi pranë jush sepse është interes i Britanisë që ta mbajë Kosovën larg korrupsionit. Ne do jemi aty për t’iu ndihmuar, por ka ardhur koha me dhënë rezultate”.

Ehat Miftaraj, nga IKD, ka prezantuar të gjeturat nga raporti. Ai ka thënë se ndikimet politike kanë prodhuar një sistem të drejtësisë që është i korruptuar.

Sipas tij, luftimi korrupsionit në Kosovë fillon dhe mbaron me fjalime politike. Sipas IKD-së, për tri vjet, se gjykatat kanë trajtuar 58 aktakuza me 67 akuza për zyrtarë të profilit të lartë dhe 10 prej tyre janë dënuar.

“Nga 67 zyrtarë, për shtatë zyrtarë kanë hedhë aktakuza, për 16 zyrtarë kanë marrë aktgjykime lirues, për pesë zyrtarë kanë marrë aktgjykime refuzuese, për dhjetë kanë shqiptuar dënime. Nga dhjetë të dënuar, gjykatat për shtatë zyrtarë të lartë kanë shqiptuar burgim me kusht, ndaj një zyrtari është shqiptuar dënim me gjobë, dy me burg efektiv”, tha Miftaraj, raporton EO.

“Në këto raste të aktgjykimeve të shpallura nga gjykata themelore si shkallë e parë, në rastet e proceduara me ankesa, në gjykatën e apelit si shkallë e dytë, janë 30 raste të profilit të lartë, nëntë raste kanë konfirmuar hedhjet e aktakuzave, katër aktgjykime refuzuese. Prej tyre janë vërtetuar tri aktgjykime refuzuese të shkallës parë ndërsa një aktgjykim dënues me dy vjet burgim”, shtoi Miftaraj.

Sipas Miftarajt, prokuroritë në Kosovë, kanë zgjidhur vetëm 114 raste që lidhen me korrupsion.

“Sistemi prokurorial për nëntë mujorin e parë ka pasur 429 raste me 939 persona për vepra penale të korrupsionit. 316 raste me 773 persona, i ka trashëguar, ndërsa ka pranuar 113 raste të reja me 166 persona. Prokuroritë, 114 raste kanë zgjidhur”.

“Gjykatësit kanë shpallë aktgjykime në 145  aktgjykime në lëndë të korrupsionit. 68 lëndë, gjykatësit kanë marrë aktgjykime dënuese, 17 prej tyre me burgim efektiv, 25 raste dënim me gjobë dhe 26 dënim me kusht. Ndërsa 45 kanë shpall aktgjykime lirues dhe 15 aktgjykime refuzuese”, pohoi ai.

Gjatë 2018-tës, IKD tregon se ka monitoruar 848 seanca gjyqësore, ku përfshihen 255 raste të korrupsionit me 777 persona.

“Profili i 777 personave të akuzuar, janë 364 persona të profilit të ulët dhe 383 të profilit të mesëm, ndërsa vetëm 30 persona i takojnë profilit të lartë.  Gjykata Themelore gjatë këtij nëntëmujori ka shpallë 111 aktgjykime, me 232 persona. Prej tyre 204 persona akuzohen për vepra korruptive. Nga 98 prej 204 personave, janë shpallë aktgjykime dënuese, kurse 106 janë liruar nga akuzat për korrupsion”, tha Miftaraj.

Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor (KGjK), ka thënë se korrupsioni tashmë është bërë kryefjalë e diskursit kosovar.

“Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë aktivitet i përditshme. Të gjithë duhet të jemi me ndërgjegje dhe ne bazë të përgjegjësive, refuzojmë ti nënshtrohemi sjelljeve, akteve korruptive. Korrupsioni duhet të luftohet pavarësisht subjekteve”, tha Idrizi.

Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme, ka thënë se organet e drejtësisë mes vete nuk janë të koordinuara, ndërsa ka shtuar se sistemi i drejtësisë duhet ta shohë veten para se të gjykojë spektrin politik për ndikim që mund ta ketë.

“Kanë ndodhë shumë situata në të kaluarën, është momenti i fundit që të marrim masa konkrete. Iu kisha qasë disa aspekteve. Konsideroj që sistemi drejtësisë duhet të shohë vetveten para se të thotë se politika e ndikon”.

“Nëse nuk krijohen mekanizma të brendshme për disiplinimin e gjyqtarëve e prokuroreve ne në vazhdimësi kemi me pasë probleme.  Fajtori po mbete jetim, po luajmë ping-pong me veten, nuk e dimë a po i analizojnë gjyqtarët e prokurorët ato lëndë si duhet”.

Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial (KPK), ka thënë se janë të gatshëm të luftojnë korrupsionit kurdo që kërkohet.

“Si këshill jemi të gatshëm ta vazhdojmë bashkëpunimin që do t’i kontribuonte luftimit të korrupsionit”.

Të ngjashme