O’Connell: Kosova s’mund të krijojë Tribunal Ndërkombëtar, krimet serbe t’i gjykojnë gjykatat vendëse

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Një komentuese kërkoi një mendim nga Ambasadori Britanik në lidhje me zhvillimet e fundit në vend rreth idesë së kryeparlamentarit Kadri Veseli për themelimin e një Tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, nëse i njëjti do të mund të formohej dhe nëse do ta ketë mbështetjen britanike.

O’Connell, duke iu përgjigjur pyetjes së komentueses dhe duke u ndalur tek shifrat e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se ky Tribunal ndërkombëtar nuk mund të krijohet, porse janë gjykatat e Kosovës që duhet t’i gjykojnë ato krime.

“NATO ka intervenuar për shkak të asaj që forcat jugosllave dhe serbe po bënin si rezultat i politikës shtetërore në Kosovë. Dhe kjo është një çështje që është shënuar në histori. Kur lexoj tregimet për atë që i ndodhi komunitetit shqiptar në Kosovë, si psh. ngjarjet e 22 majit në Vushtrri, ku isha dje, ku 68 civilë shqiptarë u vranë, pasi që u ndanë nga familjet e tyre, dhe kur sheh memorialet e luftës dhe sheh që disa nga të vrarët janë bebe as një vjeç, është e tmerrshme. Ne duhet ta pranojmë këtë të vërtetë, dhe është komplet e papranueshme, bile e ligë, të tentojë dikush të mohojë atë që ka ndodhur. Por meqë po flasim për pranim të së vërtetës, ti po flet për 13.500 shqiptarë që janë vrarë, kjo nuk është e vërtetë. Nuk ishin 13.500 shqiptarë. Si fillim, a të brengos ty që vetëm shqiptarët janë vrarë, sepse nëse po, atëherë nuk mund të jemi miq. Faktikisht po, 10,812 shqiptarë janë vrarë dhe 2197 serbë. Për mua secila viktimë meriton drejtësi. Kjo nuk do të thotë që ne nuk e kuptojmë çka është bërë në të kaluarën për shkak të politikës shtetërore në rajon. Por nëse i numërojmë viktimat serbe pas luftës, nga të gjithë të vrarët, 1196 ishin civilë. Po, ka pas edhe forca të sigurisë që janë vrarë se ka qenë luftë, dhe kjo ndodh fatkeqësisht në luftë, por janë mbi 1000 viktima civile serbe. Në mesin e tyre edhe gjyshja dhe gjyshi i shoqes sime, të cilët u vranë në gusht 1999, vetëm pse dikush donte banesën e tyre. Edhe ata meritojnë drejtësi, apo jo? Secila viktimë meriton drejtësi. Të gjitha shtetet e rajonit duhet të pranojnë atë që ndodhi këtu, sepse kjo është e vetmja bazë për pajtim. Secila viktimë, 8676 civilë shqiptarë, 1196 civilë serbë, 265 romë, 86 boshnjakë dhe 94 nga komunitete tjera, të gjithë këta meritojnë drejtësi. Unë pajtohem me këtë, por nuk pajtohem me idenë që aty ka pasur vetëm viktima shqiptare, dhe kurrë nuk do të pajtohem. Kur po flet për një tribunal ndërkombëtar për krime dhe gjenocid serb, jam pak i brengosur për terminologjinë. Kosova ka sistem gjyqësor, i cili mund të gjykojë krimet që janë kryer në territorin e Kosovës, pse nuk po e përdorni atë? Kosova nuk mund të krijojë një tribunal ndërkombëtar. Kosova ka gjykatat e saja të cilat duhet të kenë interes t’i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës. Dhe ato janë plotësisht të fuqishme ta bëjnë atë”, u shpreh Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell.

Të ngjashme