O’Connell nuk e harron Kosovën, gëzohet që sheh përpjekje për ta luftuar korrupsionin

Prishtinë | 25 Gus 2021 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell është shprehur i lumtur për, siç tha, angazhimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin.

Dje, ai së bashku me ambasadorin aktual të Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott shkuan në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku e takuan ministrin e këtij dikasteri, Xhelal Sveçlën.

“I lumtur që e takova Xhelal Sveçlën sërish. Qytetarët e Britanisë së Madhe dhe ata të Kosovës ndajnë preokupime të përbashkëta, përfshirë krimin e organizuar dhe ekstremizmin. Ne duhet të punojmë së bashku për t’i adresuar ato. Isha i gëzuar që dëgjova për angazhimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin”, shkroi O’Connell në Twitter, duke i bërë ‘retweet’ fjalëve të ambasadorit Abbott.

Ndërkohë Abbott shkroi për takimin me Sveçlën, duke treguar se kanë diskutuar çështje me interes reciprok.

“Sot iu bashkova paraardhësit tim nga Kosova, Ruairí O’Connell për ta takuar Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla. Ne diskutuam çështje me interes reciprok të tilla si lufta kundër terrorizmit dhe luftimi i krimit të organizuar”, shkroi Abbott.

Të ngjashme