Oda Bullgare e Tregtisë dhe Industrisë do të këshillojë bizneset kosovare për menaxhim në kushte pandemie

Prishtinë | 26 Mar 2021 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

I ngarkuari më Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje, Delfin Pllana, dhe diplomati Bujar Deskaj, janë pritur në një takim nga kryetari i Odës Bullgare të Tregtisë dhe Industrisë (BCCI) Tsvetan Simeonov dhe Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Organizatat Ndërkombëtare Gabriela Dimitrova.

Në këtë takim fokusi i diskutimeve u vu tek vështirësitë e menaxhimit të situatës nga bizneset si pasojë e pandemisë dhe mundësitë e bashkëpunimit në mes bizneseve të të dyja vendeve.

Në këtë kontekst, I Ngarkuari me Punë Pllana duke falënderuar kryetarin e BCCI Simeonov për bashkëpunimin e vazhdueshëm me ARKSS-në ka deklaruar se përvojat e bizneseve bullgare të aplikuara në periudhën pandemike do të ishin të mirëseardhura si model për subjektet afariste në Kosovë.

Duke shprehur gatishmërinë në këtë pikë, kryetari Simeonov ka thënë se BCCI është e gatshme që më mundësitë që ka në dispozicion të këshillojë subjektet homologe rreth modeleve dhe alternativave që kanë ndjekur dhe po ndjek biznesi bullgar në kushtet e pandemisë. Në këtë kontekst ai ka deklaruar se BCCI si subjekti kryesor i përfaqësimit të bizneseve ne vend është në kontakt të vazhdueshëm më Qeverinë dhe bizneset duke shqyrtuar e propozuar ide dhe modele të cilat mund të ndihmojnë bizneset për funksionim, respektivisht tejkalim të kësaj situate tejet të pafavorshme për ta.

Ambasadori Pllana, duke përmendur rritjen e shkëmbimit të numrit të lejeve te transportit si indikatorë të rritjes së nivelit të bashkëpunimit por duke nënvizuar kushtet aktuale si pasojë e pandemisë, përgjatë këtij takimi, po ashtu është interesuar për mundësitë e thëllimit të bashkëpunimit në mes kompanive nga Kosova dhe atyre nga Bullgaria, dhe kontributin që mund të jap Oda Bullgare në këtë drejtim.

Edhe në këtë aspekt Simeonov ka deklaruar se ata janë në dispozicion që qoftë përmes sesioneve online apo takimeve direkte (në respektim të masave antipandemike) të diskutojnë me drejtuesit e institucioneve respektive apo përfaqësuesit e kompanive të cilat mund të shprehin interesim për bashkëpunim më kompanitë bullgare, duke identifikuar fushat me interes dhe duke shqyrtuar modalitetet me të përshtatshme dhe funksionale në rrethanat aktuale.

Të ngjashme