Oferta e fundit e Isa Mustafës që ia prezantoi në takim Albin Kurtit

Prishtinë | 20 Dhj 2019 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Takimi që është duke u zhvilluar mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, pritet ta jap epilogun përfundimtar se a do të ketë marrëveshje koalicioni mes këtyre dy partive politike.

Burime të Gazeta Blic, bëjnë me dije se Isa Mustafa i ka shkuar në takim Albin Kurtit, me një ofertë që sipas të gjitha gjasave do të jetë e fundit, pasi që me 26 dhjetor, do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

Sipas këtyre burimeve oferta e Mustafës për Kurtin është që LDK t’i merr katër ministri, kryetarin e Kuvendit dhe postin e presidentit të shtetit. Kundrejt, VV-së, që do t’i takonin gjashtë ministri, posti i kryeministrit dhe ai i zv.kryeministrit të dytë.

Nëse Albin Kurti është i gatshëm ta pranojë këtë ofertë, atëherë marrëveshja do të nënshkruhej sot, por që gjithçka do të vendoset nga takimi që është duke u zhvilluar aktualisht.Deri më tani, zhagitja e marrëveshjes mes këtyre LVV-së dhe LDK-së, është bërë për shkak të pozitës së presidentit.LDK, përmes kryetarit të saj, Isa Mustafa, e ka bërë të qartë se nëse nuk e marrin këtë post, atëherë Lidhja Demokratike do të qëndrojë në opozitë.

Kurse, kreu i VV-së dhe i nominuari për kryeministër të vendit, Albin Kurti, nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, në qoftë se nuk do të ketë koalicion mes partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.Të dy liderët, Kurti dhe Mustafa, aktualisht janë në një takim të përbashkët në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme