OJQ-të monitorojnë punën e institucioneve nga distanca

Prishtinë | 29 Mar 2020 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Puna nga shtëpia, në kohën e pandemisë së COVID-19, është bërë tashmë praktikë e funksionimit të shumë kompanive apo edhe institucioneve e organizatave joqeveritare.

Punën e tyre nga shtëpia apo distanca aktualisht po e zhvillojnë edhe organizatat joqeveritare që veprojnë në Kosovë. Përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se pas masave që ka marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri që përcillet me sëmundjen, COVID-19, punën janë duke e zhvilluar në distancë. Një formë e tillë e punës, sipas tyre, është e domosdoshme për të ruajtur shëndetin e punëtorëve dhe mospërhapjen e virusit.

Por, jo të gjitha aktivitetet mund të realizohen në kushtet e punës nga shtëpia. Këtë praktikë të re, në Kosovë po e zhvillojnë vetëm ata sektorë të cilët aktivitetin e tyre mund të zhvillojnë në bazë të teknologjisë.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se 50 të punësuarit në këtë institut janë duke punuar në distancë. Edhe pse ky proces nuk është i lehtë, ai thotë se po arrijnë të koordinohen mes vete përmes teknologjisë.

Madje edhe përmes kësaj forme të punës, ai thotë se po arrijnë të mbikëqyrin edhe punën e disa institucioneve shtetërore.

“Kjo është një mënyrë e re e punës që Instituti i Kosovës për Drejtësi është duke bërë. Fatmirësisht në të shumtën e rasteve deri më tani kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë, qoftë të institucioneve të drejtësisë, qeverisë, por edhe institucioneve tjera të cilat në një farë mënyre ofrojnë informata, përgjigje për kërkesat tona që i bëjmë, qoftë përmes e-mailave apo përmes telefonatave”, tha Miftaraj.

Edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës e konsideron të vështirë praktikimin e punës në distancë, por megjithatë ajo thotë se në bashkëpunim me 23 kolegët po arrijnë të mbikëqyrin aktivitetet e institucioneve publike.

“Jemi duke u munduar që të përcjellim aktivitet që i kemi të parapara me programet tona, jo ato që kërkojnë aktivitete publike, por të minitorojmë institucionet, veçanërisht punën e Kuvendit të Kosovës. Kemi ndjekur punimet e Kryesisë së kuvendit, kemi përcjell edhe dërgimin e mocionit të mosbesimit që është bërë të premten e kaluar nga Lidhja Demokratike dhe partitë e tjera”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Kurse Ehat Miftaraj, tregon se në këtë periudhë kur Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje, institucionet e Kosovës po u përgjigjen kërkesave të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

“Se kjo situatë ndoshta e ka ngritur nivelin e përgjegjësisë, po flas kryesisht në organet e drejtësisë dhe sigurisë të cilat Instituti i monitoron. Dhe mund të them se bashkëpunimi është shumë më i mirë tani në këtë kohë sesa ka qenë para pandemisë. Edhe përkundër faktit se institucionet e drejtësisë janë duke punuar vetëm në raste emergjente, kemi një bashkëpunim shumë të mirë, që për ne është një risi për të mirë në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë”, tha Miftaraj.

Përveç punës në disa sektorë, edhe Ministrja e Arsimit në Kosovë nga e hëna, më 23 mars ka filluar mësimin në distancë, për nxënësit e klasës së parë deri në të pestë.

Më 11 mars, Qeveria e Kosovës ka vendosur që në përputhje me vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie në nivel global në lidhje me koronavirusin e ri, t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars.

Deri më tash janë dhjetëra të prekur, ndërsa një person ka humbur jetën.

Të ngjashme