Opozita e bojkoton edhe takimin e dytë për reformën zgjedhore

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 13:39 | Nga

Më ftesë të presidentit Hashim Thaçi është mbajtur takimi i dytë me partitë politike ku u diskutua për reformën zgjedhore. Në takim morën pjesë partitë e pozitës, por jo edhe ato nga opozita,

Me këtë rast Thaçi ka thënë se për reformën zgjedhore nevojitet amandamentimi i disa neneve në Kushtetutë dhe ndryshimi i legjislacionit për zgjedhje.

“Çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e ligjeve mund të bëhen më shpejtë, amandamentimi i neneve në Kushtetutë merr më shumë kohë – por të gjitha këto duhet të përfundojnë deri në pranverë”.

Ndër të tjera Thaci ka shtuar se posti i presidentit ka qenë faktorë i ngërçeve politike prandaj duhet t’i dhënë përgjigje këtij procesi duke mohuar se nga ky proces ka ambicieje personale.
Ai ka thënë se duhet marrë një dispozicion kohor dhe të krijohet një konsensus.

“Reforma është në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe partive politike. Deri në javën e ardhshme do t’i krijomë dy nëngrupe punuese njeri për amandmentimin e ndryshimeve kushtetuese që duhet t’i kryej punët deri me 10 dhjetor dhe ai për ndryshimin e ligjit zgjedhor që duhet ta kryej punën deri me 5 dhjetor të këtij viti”, ka thënë Thaçi.

Gjatë këtij takimi nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se PDK -së i nevojitet ende kohë për të dal me një qëndrim lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe zonave zgjedhore pasi sipas tij, këto janë çështje të ndjeshme.

Por ai ka thënë se PDK është që pragu zgjedhore të mbetet ashtu siç është 5 për qind. Ai ka thënë se PDK mbështet reformën dhe ky proces duhet të përmbyllet sa më shpejt.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri ka deklaruar se është e domosdoshme që të vazhdojnë përpjekjet në arritjen e konsensusit dhe pjesëmarrjes së opozitës në procesin e reformës zgjedhore.

Ai në takimin për reformën zgjedhore të thirrur nga presidentin Thaçi, tha se LDK ka biseduar për nevojën që Kosova të hyjë në reformën zgjedhore, pasi ky sistem zgjedhor është nevojë e kohës ku duhet të hulumtohen mundësitë më të mira dhe pastaj të aplikohen, në mënyrë që të jetë proces i thjeshtë për qytetarët dhe përfaqësim sa më të mirë politik.

Sa i përket numrit të deputeteve, Haziri tha se nuk duhet të cenohet numri i shumicës në Kuvendin e Kosovës.

“Zgjerimi i grupeve të minoriteteve është nevojë. LDK mendon që diskutimi rreth zonave zgjedhore listave jemi të gatshëm me bisedu për një konsensus të përbashkët. Mendojë që pragu zgjedhor të jetë 5 përqind për parti dhe 7 përqind me koalicione”, tha ai.

Ndërsa Driton Selmanaj nga Demokracia plus ka kërkuar nga Thaçi të koncentrohet në arritjen e një konsensusi dhe edhe opozita të jetë e përfshirë.

Ai ka thënë se pa pjesëmarrjen e opozitës ky proces nuk do të ishte legjitim. Ai ka thënë se duhet të ketë konsensus për këtë çështje dhe nuk duhet të krijojmë tema që nuk pajtohemi pasi ka mjaftë të tilla siç janë demarkacion, asociacioni dhe krijimi i ushtrisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme