Opozita kërkon debat për vdekjen e Astrit Deharit

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 08:23 | Nga

Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën” kanë kërkuar që për vdekjen e dyshimtë të aktivistit të “Vetëvendosjes”, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të debatohet në Kuvendin e Kosovës. Madje “Vetëvendosja” kishte mbledhur 40 nënshkrime për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme, por disa deputetë i tërhoqën nënshkrimet dhe kështu u pamundësua thirrja e asaj seance. Por opozitarët nuk u ndalën me kaq dhe kërkuan që kjo çështje të futet me urgjencë në rend dite të seancës së rregullt, por as kjo kërkesë nuk u përkrah nga deputetët e koalicionit qeverisës. Ndërsa sipas partnerëve të koalicionit qeverisës duhet të pritet përgjigjja nga organet e drejtësisë.

Kjo ka bërë që deputetët e tri subjekteve opozitare ta lëshojnë seancën dhe Kuvendi të shkojë në pauzë dyorëshe në mungesë të kuorumit.

Seanca e rregullt e së enjtes ka filluar me fjalimin e kryetarit të “Vetëvendosjes”, i cili këmbëngulte që të zhvillohet debat për vdekjen e Deharit. Derisa fliste Ymeri deputetët tjerë të këtij subjekti shpalosën një baner (banderolë) ku kërkohej drejtësi për Astrit Deharin.

I pari i “Vetëvendosjes” ka thënë se Kuvendi dështoi që të ngrihet në nivel të detyrës, si kuvend -përfaqësues i qytetarëve, duke mos diskutuar gjënë më të rëndësishme e që është vdekja e një të riu.

“Këtu sot në këtë sallë janë mbledhur deputetët, që ta vazhdojnë punën normalisht për të pretenduar se vërtet situata në Kosovë është normale. Gjë që është një maskim i asaj se çfarë po ndodh në Kosovë dhe me ndjenjën që qytetarët po e kanë dhe po e ndërtojnë çdo ditë karshi institucioneve… Përgjegjësia e shtetit dhe e institucioneve shtetërore është e pashmangshme, pavarësisht rrethanave, shteti duhet të japë përgjegjësi. Por ja që asnjë prej institucioneve shtetërore deri më tash nuk e dha një përgjegjësi të tillë”, është shprehur Ymeri.

Ai gjithashtu tha se nuk pret që këto institucione të kapura dhe të manipuluara nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, të prodhojnë drejtësi.

“Këto institucione kjo Hetuesi, ky shtet i kapur s’mund të prodhojë drejtësi për Astritin. Dhe ky shtet i kapur nuk po prodhon drejtësi për asnjë qytetar të Kosovës. Dhe ky shtet i kapur është përgjegjësi e këtyre njerëzve që e kanë veshur veten me pushtet dhe e kanë kapur shtetin. Fatkeqësisht edhe ky Kuvend sot dështoi të jetë Kuvend që i përgjigjet zërit të qytetarëve. Por u bë kuvend i manipuluar nga Kadri Veseli me shokët e tij. Kjo është fatkeqësia e këtij vendi, ku qytetarët nuk e kanë as minimumin e përfaqësimit”, ka shtuar Ymeri.

Haradinaj: Nëse nuk ka asgjë për t’u fshehur, le të debatojmë

Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se duhet të debatohet në Kuvend, pasi që transparenca i ndihmon Kuvendit dhe drejtësisë.

“Edhe sot këtu ku jemi do të ishte mirë që ministrja e Drejtësisë të ishte në sallë dhe të na tregojë deri ku kanë shkuar procedurat, çka ka ndodhur? Sepse qëndrimet mishmash, herë të zyrtarëve policorë, herë të Prokurorisë, herë të hetuesve, herë të drejtorit të Burgut kanë krijuar amulli e që me të drejtë ngre shqetësimin tek qytetarët. Mendoj që drejtësia i bën nder Kuvendit dhe Kosovës. Në rast se shteti ka diçka për të fshehur, atëherë mbylleni debatin, nëse nuk ka çka të fshehë hapeni debatin të diskutojmë”, ka theksuar Haradinaj.

Kurse deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se moszgjidhja e kësaj enigme lë vend për dyshime, prandaj ai ka thënë se duhet të debatohet kjo çështje.

“Ne deputetët e ‘Nismës’ jemi të interesuar barabartë sa qytetarët, familja Dehari dhe LVV-ja që çështja e studentit i cili humbi jetën në Burgun e Prizrenit të bëhet publike, transparente. Moszgjidhja tash e sa ditë e kësaj enigme natyrisht se lë vend për të dyshuar. Prandaj përgjegjësit e institucioneve të sigurisë është mirë të përgjigjen para opinionit. Dhe kërkesa jonë për një debat ka pasur të bëjë me atë ta çelim ‘Kutinë e Pandorës’ karshi opinionit për të arritur ta kuptojmë të vërteten e madhe rreth rastit ‘Dehari’”, ka deklaruar Berisha.

PDK e LDK: Nuk duhet të politizohet vdekja e Deharit

Por shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se nuk është mirë që kjo çështje të politizohet dhe që Kuvendi ta vërë drejtësinë para organeve të drejtësisë.

“Është një tragjedi që i ka ndodhur asaj familje dhe dhimbje e madhe për të gjithë ne e qytetarët. Unë sot kërkoj që të gjithë sa jemi sa më shpejt të ndriçohet nga organet kompetente vdekja e Astrit Deharit… Edhe ne jemi të interesuar të debatojmë, por do të ishte keq, nuk do t’i ndihmonim as familjes në këto ditë të rënda për ta nëse ne sot bëjmë politikë, ose politizojmë, ose bëjmë anime politike, ose bëjmë drejtësinë para organeve të drejtësisë”, ka potencuar Pajaziti.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që sa më shpejt të dalin me rezultat për vdekjen e Deharit. Ai ka thënë se është e dhimbshme që rastet e tilla të rënda të përdoren për qëllime tjera.

“Angazhimi që këto rezultate të dalin sa më shpejt bën që të ketë sa më pak mundësi nga kushdo qoftë që rasti si i tillë shumë i dhimbshëm, shumë i ndjeshëm, në një mënyrë të përdoret që është shumë e rëndë, për qëllime të tjera. Jam i bindur që raste të tilla janë shumë të rënda, që e kanë përgjegjësi organet kompetente t’i zbardhin deri në fund. Nuk ka qytetar të Kosovës dhe as ne si subjekte politike që nuk kemi interesim për të dalë e vërteta”, ka thënë Beqiri.

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Lëvizja “Vetëvendosje” kishte mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në të cilën do të debatohej për vdekjen e aktivistit të këtij subjekti, megjithatë disa deputetë të koalicionit qeverisës dhe të pakicave i kanë tërhequr nënshkrimet. Kjo ka bërë që dy përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” dhe një i AAK-së të mos marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë. Opozitarët kanë thënë se drejtuesit e koalicionit qeverisës kanë bërë presion tek deputetët për t’i tërhequr nënshkrimet dhe rrjedhimisht për të pamundësuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.

Në anën tjetër përfaqësuesit e koalicionit qeverisës kanë thënë se as PDK-ja dhe as LDK-ja nuk kanë bërë presion mbi deputetë për t’i tërhequr nënshkrimet, por, sipas tyre, disa deputetë kanë nënshkruar pa e ditur saktësisht se çka po nënshkruajnë. (Gazeta Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme