Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës, të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave, raporton Ekonomia Online.

Sipas njoftimit, dy grupet parlamentare nga radhët e opozitës konsiderojnë se këto dështime kanë krijuar mungesë të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit dhe kanë lëkundur besimin e partnerëve tanë ndërkombëtar në Republikën e Kosovës.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tutje. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për normalitet dhe perspektivë të qartë. Tensionet e krijuara gjatë gjithë këtij mandati qeverisës e kanë pamundësuar debatin substancial në shoqërinë e Kosovës për arsim e shëndetësi më të mirë, për shërbime publike më efikase, për punësim dhe zhvillim ekonomik. Seanca e  jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje është kërkuar të mbahet sot, më 04.12.2018 në ora 16.00”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme