Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për mosliberalizimin e vizave

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se opozita është duke kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për mosliberalizimin e vizave për kosovarët.

LDK-ja thotë se Kosova po izolohet ngase po udhëhiqet nga njerëz të izoluar, prandaj sipas kësaj partie dorëheqja është veprimi i vetëm që i ka mbetur kësaj qeverie.

Njoftimi i plotë i LDK-së:

Kryeministri i sotëm dhe zëvendësi i tij Limaj dikur pengonin me dhunë e intriga përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Atëherë e fajësonin Bashkimin Evropian, i cili deklaronte se po rrezikohet liberalizimi i vizave deri pas zgjedhjeve të vitit 2019 në Bashkimin Evropian.

Sot, kur ai paralajmërim është bërë fakt, përdoruesit e dhunës dhe intrigave, tash bashkë me partnerët e tyre qeverisës, sërish po fajësojnë Bashkimin Evropian.

Dështimin në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol po e shesin si dështim të Evropës, në rastin e liberalizimit të vizave, dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpolit.

Kosovës po i mbyllen dyert sepse udhëhiqet prej njerëzve të izoluar. Këta po mundohen ta shpërthejnë izolimin e tyre, duke e izoluar Kosovën. Por, Kosova dhe qytetarët e saj do ta shpërthejnë izolimin duke i izoluar këta udhëheqës të papërgjegjshëm.

Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje. Dorëheqja e tyre është veprimi i vetëm që ju ka mbetur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme