Opozita kritikon Ahmetin për mosrealizimin e premtimeve: Kryetari më i dobët që ka pasur kryeqyteti

Prishtinë | 08 Maj 2021 | 08:05 | Nga Erdonit Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asamblistët e LDK-së, VV-së dhe PDK-së në komunën e Prishtinës, e cilësojnë Shpend Ahmeti si një ndër kryetarët më të dobët dhe më të papunë, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online tre asamblistët e këtyre tri partive politike në opozitë thonë që shumë pak nga sa është premtuar është bërë nga ana e kryetarit Ahmeti.

Emine Nikçi-Rexha nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se asnjë nga 100 premtimet e Ahmetit nuk janë realizuar.

“Për 100 premtimet e Shpendit do të thotë janë 100 premtimet e famshme të tij por realizimi është zero. Sa i përket përfundimit të mandatit të dytë të kryetarit Ahmeti siç e shohim realizimi i premtimeve të tij veçse ka filluar të bëhen, realizimet janë pothuajse 30% të mandatit dhe kjo është një gjë shumë e keqe për kryeqyteti, çdo kund shihet mospuna e tij dhe sipas qytetarëve ky është kryetari më i dobët dhe papunë që ka pasur Prishtina ndonjëherë”, tha Nikçi-Rexha.

Sipas saj dhe grupit që përfaqëson, kryetari Ahmeti nuk ka realizuar gjërat esenciale, si ndriçimi publik, qentë endacakë e shumë çështje tjera të premtuara.

“Sipas mendimit tim dhe grupit që përfaqësoj unë pra të LDK-së, kryetari Ahmeti ka realizuar vetëm ato punët e lehta sa për të kaluar dhe për të thënë që ka bërë diçka. Mund të përmend këtu disa nga premtimet  e tij. Gjërat esenciale nuk janë bërë, ndriçimi publik në shumë lagje nuk është bërë, çështja  e qenve endacakë, linjat e rregullta të trafikut urban mungojnë në shumë lagje, është premtuar renovimi i pallatit të Rinisë nuk ka nisur akoma, është premtuar ndërtimi i fushave sintetike të futbollit as aty nuk ka ndonjë rezultat, dhe këto po mbesin vetëm letra dhe fushatë parazgjedhore dhe mospuna e kryetarit Ahmeti”, thekoi ajo.

Ajo thotë se përkundër shumës enorme të buxhetit nga viti në vit, nuk ka ndonjë raport të mirëfilltë për shpenzimin e buxhetit, kur investimet kapitale janë zero.

“Çdo vit e kemi në bartje të shumës enorme të buxhetit nga viti në vit, ku vetëm këtë vit kemi bartje të 34 milionë euro të buxhetit, kemi drejtori në komunën tonë që e kanë zero shpenzimin e buxhetit, dhe nuk kemi raport të mirëfilltë nga ta, por investimet kapitale janë zero”, përfundoi ajo.

Edhe Mirsad Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje thotë që kryetari Shpend Ahmeti është larg çdo pritshmërie të kryeqytetasve të Kosovës, duke cekur këtu mos realizimin e shumë premtimeve të zotuara nga ai.

“Fatkeqësisht kryetari është larg pritshmërie të kryeqytetasve të Kosovës. Qytetarët e Prishtinës kanë pritur shumë më shumë prej tij, mirëpo fatkeqësisht ai nuk i ka përmbushur premtimet e tij, nuk i ka realizuar të gjitha ato që ai i ka premtuar. Tash jemi në përfundim të mandatit të tij dhe siç e dini Prishtina sot ka probleme të ngjashme me të vitit 2017 ato që ishin e nuk janë realizuar”, tha ai.

Vitia thekson që nga gjitha ato premtimet të kryetarit, as 2/3 e zotimeve nuk është realizuar.

“Nëse i marrim të gjitha premtimet e kryetarit, në vitin 2017 kur ka garuar ai ka pas në 100 zotime në 10 fusha, mirëpo fatkeqësisht mund të themi nga që nga ato 100 mendoj që 2/3 e zotimeve të tij nuk janë përmbushur. Sot nuk e kemi spitalin e qytetit, nuk e kemi teatrin, s’e kemi galerinë dhe nuk kemi shumë projekte të tjera që janë premtuar dhe nuk janë asgjëkund, mandati i tij po përfundon, mirëpo ato nuk janë as në fillim të punës”, deklaroi Vitia.

“Unë si optimist i madh që jam dhe shpresat  e mëdha që i kam pasur, duke e ditur që në mandatin e parë të tij ai është ankuar se nuk e ka numrin e mjaftueshëm në asamblenë komunale, kam konsideruar që po u arrit ai numër i shumicës në asamblenë komunale ky kryetar do arrijë t’i shtyjë punët përpara, mirëpo fatkeqësisht edhe përkundër faktit që arriti atë numër ai kishte punë tjera duke bërë fiskultura në politikë dhe duke dal nga Lëvizja Vetëvendosje, duke provuar që ta bëjë një parti tijën, as këtë nuk e arritën. Sot jemi ku jemi dhe janë katër vite të humbura dëm, mendoj që një notë tresh do ishte shumë i lartë”, përfundoi ai për Ekonomia Online.

Në anën tjetër edhe  Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se premtimet e zotuara nga kryetari Ahmeti janë në pikën më të ulët të realizimit, me një performancë shumë të ulët të menaxhimit.

“Realisht premtimet e zotuara nga kryetari Ahmeti, janë në pikën më të ulët të realizimit dhe për fat të keq komuna e Prishtinës bashkë me këtë qeverisje renditet në komunat me performancën më të ulët të menaxhimit dhe të qeverisjes së mirë për qytetarët Prishtinës, duke e pasur parasysh që Prishtina është edhe kryeqytet kjo e handikapin jashtëzakonisht jetën e qytetarëve të Prishtinës ku për tetë vite ka pasur një regres në zhvillimin e kryeqytetit”, tha Retkoceri.

Retkoceri thotë që realizimi i shumë projekteve është shumë i dobët dhe të mbetura në letër, pa ndonjë projekt serioz.

“Realizimi është jashtëzakonisht i dobët, këtu krejt çka kemi të bëjmë është se ato projekte mbesin në letër dhe realizimi nuk shihet askund. E kemi parë si në çështjen infrastrukturore deri tani nuk ka pasur as një lëvizje serioze dhe tani kur këto lëvizje janë, janë vetëm për sy e faqe sa për t’i mbuluar disa gropa që për fat të keq vozitësve të komunës së Prishtinës është duke ia shkatërruar secilën herë pasuritë e tyre, në anën tjetër nuk kemi asnjë projekt serioz përveç atij që ka filluar të parkingut nëntokësor dhe nuk ka asnjë parking tjetër të hapur. Nga këto tetë vite të qeverisjes nuk kemi asnjë vend parking të ri të krijuar”, deklaroi ai.

Mungesën e Spitalit të Prishtinës, Retkoceri ia vë fajin vet kryetarit Ahmeti pasi sipas tij ai ka vepruar me inate politike duke hezituar për të caktuar një lokacion të propozuar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Situata me pandeminë ka qenë një situatë ku edhe ne si parti opozitare kemi luajtur një rol mbështetës për çdo iniciativë dhe propozim që ka ardh në mënyrë që të mos bllokojmë me votim por të kalojë ajo që të ketë diçka në dobi të qytetarëve, në fillim ka qenë një përpjekje më e madhe e kryetarit të komunës por siç shihet nga fundi nuk kanë qenë fare të vërejtur në aspektin me ballafaqimin me pandeminë, pra kemi parë që Prishtinës  jashtëzakonisht i ka munguar projekti kryesor në këtë pandemi, dhe ajo ka qenë mungesa  e spitalit të Prishtinës, që kryetari ka hezituar në këtë drejtim për ta caktuar një lokacion të propozuar nga ish-ministri Uran Ismaili, dhe kjo tregon që çdo gjë që bëhet për inate politike e pëson qytetari”, u shpreh tutje Retkoceri.

Të ngjashme