Opozita kritikon Projektligjin për Dhomat e Posaçme dhe AKP-në

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 13:40 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kuvendin e Kosovës është shqyrtuar në lexim të parë Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Grupet parlamentare opozitare propozuan që kompetencat për këtë çështje t’i barten Gjykatës Themelore.

Abelard Tahiri, gjatë prezantimit të projektligjit, tha se çfarëdo vonese në miratimin e tij do të bllokojë vendimmarrjen dhe do të ndikojë në ekonominë e vendit.

“Dhoma e Posaçme shqyrton ankesat që kanë lidhje me proces të privatizimit, kërkesa pronësore, kërkesa nga riorganizimi i një ndërmarrjeje shoqërore. Dhoma e Posaçme nuk do të bënte shkelje të gjykatave të rregullta. Puna e kësaj gjykate gjykon drejtpërdrejt rastet e procesit të privatizimit dhe çfarëdo vonese në miratim të këtij projektligji bllokon vendimmarrjen dhe ndikon në ekonominë e vendit tonë”.

“Kjo gjykatë ka 21 mijë lëndë të grumbulluara. Avokati i Popullit ka lëshuar disa raporte për mosefikasitetin e kësaj gjykate, për shkak të resurseve të pakta”.

Kreu i MD-së tha se përmes ndryshimeve në këtë projektligj synojnë ta përshpejtojnë procesin përmbyllës për likuidimin nga fondi i mirëbesimit për fonde që mbahen në BQK.

“Përmes ndryshimeve synojmë të përshpejtojmë procesin përmbyllës për likuidimin nga fondi i mirëbesimit për fonde qe mbahen ne BQK pa ndonjë dobi për zhvillimin e vendit tonë”.

Korab Sejdiu, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, tha ndonëse është duke u trajtuar një projektligj si rezultat i përfundimit të mandatit të EULEX-it, ende nuk dihet se cili është mandati i tij.

“Flitet për përfundimin e mandatit të EULEX-it, por ne nuk e dimë çka është mandati i këtij misioni, sepse nuk e dimë a po shkelim marrëveshjen që ka bërë presidenti pasi nuk e dimë çka ka nënshkruar ai në letërkëmbim”.

“Dhoma e Posaçme në bazë të këtij projektligji vazhdon të mbetet në kuadër të Gjykatës Supreme. Duhet menduar a është çasja jonë korrekte se si ta adresojmë këtë çështje. Çështja e dyshkallshmërisë kur brenda këtij organi kemi brenda një organi. Unë kam dëgjuar që çështja është me i përshpejtu trajtimin e lëndëve, por duhet të mendojmë se a kemi një proces të rregullt të privatizimit. Unë mendoj që procesi i privatizimit nuk ka qenë normal. Mendoj që ne duhet të mundohemi të kthejmë procesin e  privatizimit në një proces normal të rregullt dhe jo vetëm sa për të shpejtuar atë”.

Hajdar Beqa, nga PDK-ja, ftoi deputetët që të përkrahin këtë projektligj në parim. Në mënyrë që të funksionalizohet Dhoma e Posaçme.

Beqa tha se në mes të dy leximeve do të japin kontribut në plotësim-ndryshimin e tij.

“Nga 14 qershori kjo dhomë nuk ekziston fare, sepse gjyqtarëve të EULEX-it iu ka përfundu mandati andaj ne duhet ta kemi me çdo kusht funksionalizimin e kësaj dhome”.

“Ne kemi pasë edhe rezerva, por në këtë fazë do ta përkrahim projektligjin dhe në mes dy leximeve do të japim kontributin tonë si deputetë dhe grup parlamentar”.

Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, para se të prezantoi qëndrimin e grupit parlamentar shprehu shqetësimin lidhur me grevën e administratës së gjyqësorit”.

“Ka ditë që Administrata Gjyqësore është në grevë për shkak të pagave të vogla dhe për ne është e papranueshme që qeveria nuk lodhet në këtë drejtim. Është e padrejtë që të kemi në administratë bashkëpunëtorë profesionalë që kanë 300 euro pagë e ka gjyqtarë që kanë pagën 2000 euro”.

Më tutje, Haxhiu tha se zgjidhja më e mirë për këtë dhomë është që Gjykata Themelore të autorizohet për trajtimin e rasteve të AKP-së.

“Projektligji që kemi para vetes ka defekte të shumta. Vetë qëllimi është problematik. Ata që e kanë shkruar këtë draft kanë pasur për qëllim akomodimin e gjyqtarëve që merren me vendimin e AKP-së dhe jo për palët, duke pasë parasysh që procesi i privatizimit në Kosovë ka shkatërruar prodhimin dhe industrinë ne nuk mendojmë që ky projektligj është zgjidhje për të adresuar çështjet e privatizimit. Ne si GP konsiderojmë që Gjykata Themelore në shkallë të parë do të autorizohej të merret me këtë çështje”.

I të njëjtit mendim ishte edhe Frashër Krasniqi nga Grupi Parlamentar i PSD-së.

“Përveç faktit që kjo Dhomë e Posaçme nuk i ka zgjidhur 20 mijë lëndë, atëherë është diçka pse t’ia zgjasim mandatin Dhomës së Posaçme nëse nuk ka qenë efikase.Ka hapësirë për vendime joprofesionale. Na nuk jemi dakord në lexim të parë të këtij ligji, por në qoftë se kalon ne do të japim kontributin tonë në leximin e dytë”.

“Zgjidhja për këtë çështje është që kjo gjykatë, kjo dhomë, të bëhet departament i veçantë në Gjykatën Themelore dhe në atë të Apelit”.

Shkumbin Demalijaj, nga AAK-ja, tha se bllokimi i funksionimit të këtij projektligji nuk është zgjidhje e problemeve në procesin e privatizimit.

“Këta elementë opozitarë janë vetëm  bardhezi dhe kundër çka bjen kjo qeveri në kuvend. Kjo dhomë duhet që të rregullohet në mënyrën ma të mirë. Të gjithë jemi anku për procesin e privatizimit, por bllokimi nuk është zgjidhje”.

Bilall Sherifi, Nisma Social Demokrate, tha se duke pasur parasysh kundërshtimin e opozitës dhe mosvotimin e Listës Serbe, ky ligj nuk i ka votat për të kaluar.

“Përderisa Lista Serbe mohon të votojë të përfshihet në këtë projektligj se po përfundon mandati i EULEX-it kemi kritikat e opozitës që mendoj se janë përmbajtësore. Pozita 57 vota, ndërsa mazhoranca 61, minus 10 nga Lista Serbe, 51. Pra 57 e kundërshtojnë ligjin si të tillë, 51 e mbështesin. Ne mund të shkojmë në lexim të parë në të dytë, por ministër ky ligj po shihet që nuk mund të kalojë”.

Sherifi bëri thirrje që të bashkohen pozitë e opozitë në mënyrë që të hartojnë një projektligj sa më efikas.

“Mendoj që duhet të punojmë më intenzivisht pasi jemi marrë vesh që brenda korrikut ta përfundojmë këtë ligj dhe të mos vazhdojmë këtë lloj loje. Në lexim të parë në këtë rast i japim mbështetje këtij ligji, por në lexim të dytë nëse nuk arrijmë që të harmonizohemi të bëhen bashkë pozitë e opozitë, që të jetë ligj i Kosovës e jo i mazhorancës”.

Pas deklarimeve lidhur me këtë çështje, kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 14 e 30.

Të ngjashme