Opozita lëshon mbledhjen e Komisionit për Zhvillim, Krasniqi thotë se kjo është e turpshme

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 11:56 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mimoza Kusari, Hykmete Bajrami  dhe Dardan Sejdiu anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal kanë lëshuar mbledhjen si shenjë kundërshtimi ndaj raportit me rekomandime për Projektligjin për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Mimoza Kusari tha se ky projektligj rrezikon gjendjen e mjedisit në Kosovë andaj edhe nuk qëndrojnë për të bërë kuorumin që të hedhet në votim .

“Duke marrë parasysh kundërshtimet që ky projektligj i sjell për mjedisin dhe me rreziqet që  i sjellë. Ne nuk qëndrojmë në takim për me u kalu ky projektligj.”

Qesharake e turp e ka quajtur këtë vendim të anëtarëve të opozitës,deputeti Memli Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

“Është më shumë se qesharake, e dobët,  teatrale, që s’ka të bëjë me interesat e opinionit publik. Le të kallxojnë çka kanë bërë për ambientin. Po flasim për dy ish-ministra. Çka kanë bërë për ta ulur ndotjen”.

“Kjo çka bënë sot është më shumë se hajgare, është turp. Obligimi i tyre është me votu kundër. Ideja që këta dalin sot, kishe po e mbrojnë ambientin, kjo është rrenë. Marre duhet me ju ardhë”.

Ndërsa, Muharrem Nitaj e ka quajtur hipokrizi veprimin e deputetëve.

“Kusari rrallë ka ardhë, nuk mbaj mend a ka ardhë ndonjëherë. Opozita ka qenë dendur e përfshirë në këtë projektligj. Logjika që të votohet në komision ligji e pastaj të bojkotohet seanca mendoj që është  më së paku hipokrizi”.

Kryetarja e komisionit, Sala Berisha-Shala, tha se ajo çfarë bënë deputetët opozitar nuk është opozitë kundër mazhorancës, por brenda partive të tyre.

Më veprimin e deputetëve Kusari, Bajrami dhe Sejdiu nuk u pajtua as Veton Berisha, raporton EO.

“Duhej që opozita të ishte këtu dhe të kalohej në seancë e të jepte fjalën përfundimtare, nuk pajtohem me këtë çështje”.

Në mbledhjen e komisionit paraprakisht është miratuar raporti për Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë si dhe u vendos që shqyrtimi i propozim- vendimit të Qeverisë për kandidatët për kryesues të Bordit të ZRRE-së të hiqet nga rendi i ditës e t’i kthehet prapa qeverisë.

Edhe përkundër bojkotit të opozitës, Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka miratuar raportin me rekomandime për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Automjete.

Kuorumin pas largimit të opozitës e bëri deputeti Adem Hodza nga Lista Serbe.

Të ngjashme