Opozita nuk dëshiron të jetë bashkëkryesuese e dialogut siç ka propozuar Haradinaj

Prishtinë | 23 Sht 2018 | 12:05 | Nga

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, parmbrëmë dha një ide për mundësinë e emërimit të një bashkëkryesuesi nga opozita në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë, ai tha se është i hapur edhe Fatmir Limaj, që është kryenegociator në këtë ekip të formuar nga Qeveria.

“Si bashkëkryesues mund të vijë dikush i LDK-së, VV-së ose i PSD-së”, tha Haradinaj, duke shtuar se pret që kjo çështje të trajtohet nga opozita.

Por, opozitës megjithatë kjo ide nuk po i pëlqen. Përsëri e ka qëndrimin e deritashëm. Dialogu t’i kalojë Kuvendit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha për portalin se Ramush Haradinaj, fillimisht duhet të kuptojë që formati aktual i dialogut duhet të ndërpritet dhe duhet të marrë përgjegjësinë që i takon.

“Në këtë kuptim dua të theksoj se nuk mund të ecet në këtë mënyrë. Thaçi duhet të ndalet së bëri pazare me vendin dhe duhet të heq dorë nga procesi i dialogut sepse s’ka as legjitimitet dhe as integritet moral e politik. Kuvendi duhet së pari të bëj një bilans të marrëveshjeve të arritura deri tani”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se raporti që ka sjellë Qeveria në Kuvend mbi dialogun, duhet të diskutohet në Kuvend.

“Duhet të bëhet një listë kërkesash ndaj Serbisë, duke filluar nga njohja, kthimi i të pagjeturve, kërkim falja, dëmshpërblimi etj. Më tej duhet të ketë dialog të brendshëm dhe konsensus mbi dialogun dhe platformë të qartë dhe të detajuar. Pastaj mund të flasim për ekipin pa Thaçin në krye dhe pa Thaçin si pjesë të ekipit”, tha deputetja e VV-së për Koha.net, duke shtuar se vetëm kësisoj mbrohet Republika dhe qytetarët.

“Siç po duket, situata është tejet kritike dhe përball kësaj situate dhe një qeverie të dobët, e vetmja zgjidhje janë protestat sepse vetëm kështu arrijmë ta ndalim Thaçin dhe pazaret e tij të rrezikshme”, përfundoi Haxhiu.

E Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, po ashtu në një përgjigje për Koha.net, tha se dialogu mund të udhëhiqet vetëm nga institucione përfaqësuese dhe legjitime që flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës. As LDK-ja, s’e pranon ekipin e formuar nga vet Qeveria dhe as nuk duan t’i bashkëngjiten.

“Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga një qeveri e pakicës, që diktohet në veprime nga vullneti i partnerëve të vegjël të cilët e mbajnë në këmbë. Kryeministri nuk ka asnjë fuqi politike për të udhëhequr këtë proces, e as fuqi për të deleguar këtë autoritet te dikush tjetër. Është e qartë se ai mund të flasë vetëm në emrin e partisë së tij, por jo në emër të Qeverisë, e cila është copëtuar në zona të interesit”, tha Hoti.

Hoti shtoi se udhëheqjen e dialogut duhet ta marrë përsipër një qeveri e fuqishme me bazë të gjerë, siç thotë ai, bazuar në mandat të qartë nga Kuvendi i Kosovës.

“Kjo mund të arrihet vetëm pas zgjedhjeve të lira, të cilat do të prodhojnë një qeveri stabile. Në qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja, ne do të punojmë sado që është e nevojshme me të gjitha forcat politike për të arritur konsensus për dialogun. Sepse ky proces nuk i takon vetëm një partie apo vetëm qeverisë”, tha ndër të tjerash Hoti.

Ndërkaq, nga Partia Social Demokrate, thonë për Koha.net se vet ekipi negociator i caktuar nga qeveria, është i papranueshëm.

Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, tha se ata e vlerësojnë se ky grup është vegël që ia mundëson presidentit Thaçi të legjitimohet si drejtues i këtij procesi.

“PSD ka thënë edhe më herët se është domosdoshmëri që forcat politike në vend të dakordohen fillimisht që bartës i këtij procesi të jetë Kuvendi. Kurse, para se të flitet për ekip negociator, PSD ka propozuar si hap të parë hartimin e një Platforme Shtetërore për Dialogun”, tha Kuçi për Koha.net.

Kjo Platformë, sipas PSD-së, nënkupton një dokument që përmbledhë parimet themeltare gjatë këtij procesi dhe që paraqet pozicionimin shtetëror të Republikës së Kosovës.

“Si e tillë, sipas propozimit tonë, miratimi i saj do të duhej të behej me shumicën e kualifikuar, pra 2/3 e Kuvendit. Dhe, pas këtij hapi, atëherë do të mund të flitej për përbërjen e Ekipit Negociator, mandatimi i të cilit gjithashtu sipas nesh do të duhej të behej me votën e 2/3 të Kuvendit. E në rast se ky ekip shkel apo devijon nga Platforma, do të duhej që Kuvendi ta kishte të drejtën ekskluzive për ta shkarkuar”, thuhet në përgjigjen e PSD-së për Koha.net.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, në fillim të këtij muaji, miratoi vendimin për ekipin negociator që do të përfaqësojë Kosovën në bisedime me Serbinë. Këtij ekipi i prin Fatmir Limaj si kryenegociator, zëvendës-përfaqësues është Enver Hoxhaj, ndërsa Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Yagcilar do jenë anëtarë.

Fillimisht pozita u shpreh optimiste se opozita do ta përkrahë këtë ekip negociator, por, këta të fundit janë barrikaduar kundër kësaj ideje dhe ende s’e kanë votuar në Kuvend.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të dëgjuar propozimin e Haradinajt që Limaj të jetë kryenegociator në bisedimet Kosovë-Serbi, ka thënë se roli i të dyve, Haradinajt e Limajt, ka marrë fund kur ata i “shkuan pas Thaçit në Bruksel më 18 korrik”.

Madje, ka ironizuar me ta. “Haradinaj do që Limaj të udhëheqë ekipin negociator. Haradinaj e Limaj nuk po kuptojnë. Ata i mori Thaçi pas vetes në Bruksel me 18 korrik. Kaq ishte roli i tyre. Episodik por impresiv”, pati shkruar Kurti për takimin në të cilin anëtarët e delegacionit njëri-tjetrin e quajtën “Bac”.

Ndërkohë, mbesin paqartësi se a do t’ia lëshojë këtë pozitë Thaçi Limajt.

Në Kosovë ende nuk është arritur një konsensus i brendshëm sa i përket paraqitjes në tavolinën negociuese me shtetin serb. Thaçi, në opinion ka ngritur mundësinë e korrigjimit të kufirit, e cila sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës me Kosovën.

E për këtë, Lëvizja Vetëvendosje, të cilën s’e përkrahën Lidhja Demokratike e Kosovës e Partia Socialdemokrate, do të mbajë protestë paqësore më 29 shtator në orën 14:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme