Opozita nuk ndërron qëndrim ndaj demarkacionit edhe nëse rrezikohen vizat

Prishtinë | 06 Sht 2016 | 16:08 | Nga

Komiteti i LIBE i Parlamentit Evropian (PE) Kosova dha mbështetjen e raportit për lëvizje të lirë për Kosovën por nuk dha dritën e gjelbër për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së për çështjen e vizave, duke e ngrirë këtë proces për Kosovën.

Kushti për daljen e procesit nga bllokimi është miratimi i demarkacionit me Malin e Zi që kundërshtohej ashpër nga opozita por edhe pas kësaj duket se opozita nuk do të ndryshojë qëndrim, shkruan Express.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj tha  se, “AAK nuk e ka kalkuluar demarkacionin për kurrfarë interesash, në mënyrë që ta ndërrojë qëndrimin. Kjo është çështje e paprekshmërisë së territorit dhe e përcaktimit se një çështje kaq serioze, duhet të zgjidhet drejt. Aq më tepër nëse demarkacioni qenka kusht për liberalizim, atëherë Qeveria duhet të ketë qasje tjetër ndaj kësaj teme, në mënyrë që ta zgjidh sa më parë të jetë e mundur, e jo t’i rendis dështimet njëra pas tjetrës.”

Edhe Sekretari i partisë NISMA për Kosovën, Bilal Sherifi rikonfirmoi qëndrimin kundër kësaj marrëveshje. Çështja e demarkacionit është një çështje e cila me një bashkëpunim të pozitës dhe opozitës mund të zgjidhet relativisht shpejt tha Sherifi duke shtuar më tej “Sapo kuvendi ta rrëzojë këtë version të marrëveshjes do të hapej rruga për një proces të ri dhe kështu ky kusht më nuk do të ekzistonte sepse të gjithë do të kishin parasysh faktin se një proces i ri kërkon më shumë kohë.”

Zyrtarët e opozitës deklaruan gjithashtu se jo vetëm demarkacioni ngelet kusht për vizat por edhe luftimi i korrupsionit është një kusht i rëndësishëm.

“Çështja e liberalizimit të vizave, është më e komplikuar se sa duket. Ka një pengesë shumë serioze, përpara demarkacionit, e ajo është krimi i organizuar dhe korrupsioni. Edhe sikur demarkacioni të ishte votuar javën që shkoi, Kosova prap nuk do ta merrte rekomandimin për liberalizim.” tha Nitaj.

Kurse Bilal Sherifi në lidhje me këtë çështje theksoi se “Sidoqoftë arsyeja e votimit të tillë nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e demarkacionit por ekskluzivisht me mungesën e rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Ndërsa këshilltari i Kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu ka deklaruar për mediat se Qeveria pritet që sa më shpejt ta riprocedojë në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, edhe pse nuk kanë ndonjë afat kohor se kur do të ndodh kjo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme