Opozita, spektatore e dialogut

Prishtinë | 18 Gus 2018 | 08:12 | Nga

Rolin e spektatorit është duke e luajtur opozita në procesin e dialogut përfundimtar me Serbinë, në të cilin Kosovën e përfaqëson presidenti Hashim Thaçi edhe pse, për këtë, nuk e ka marrë mandatin në Kuvend. Ajo nuk do të ndërrojë rol, ndonëse dinamika e dialogut do të intensifikohet që në fillim të shtatorit.

Qasjen nuk e kanë ndërruar as pasi presidenti Thaçi i është bashkuar idesë së homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, për t’i ridefinuar kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas kësaj, iniciativën për një seancë të jashtëzakonshme e ndërmori Grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD), subjekt ky që muaj më parë u bë pjesë e Kuvendit pas aderimit në të të 12 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Mirëpo, ajo nuk ka arritur të sigurojë nënshkrimet e nevojshme. Madje, deri tash nuk ka siguruar mbështetje as nga ndonjë deputet i dy partive të tjera më të mëdha në opozitë – Lidhjes Demokratike (LDK) dhe të LVV-së.

Në PSD, të premten, nuk kanë dhënë informacione në lidhje me ecurinë e iniciativës. Gazeta ka adresuar disa pyetje në këtë subjekt politik, por përgjigjet kanë munguar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme