Opozita thotë se Qeveria ka harruar Shqipërinë – VV: Bashkimi Kombëtar realizohet me vullnet nga dy shtetet

Prishtinë | 05 Qer 2021 | 08:02 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bashkimi kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të realizohet nëse ka vullnet nga të dyja shtetet, thonë nga Vetëvendosja. Mirëpo, opozita thotë se kjo çështje është harruar nga vet Qeveria, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, tha se ka një gatishmëri nga kjo parti për bashkëpunim me Shqipërinë.

Tutje, ajo tha se bashkimi mund të ndodhë në forma të ndryshme në kuptimin e asaj që një kufi nuk është pengesë në raportet më të mira.

“Ajo ideja e bashkimit kombëtar është ide e kamotshme e popullit shqiptar qoftë Shqipëri qoftë Kosovë të cilët padrejtësisht janë ndarë mirëpo një ide e tillë neve nuk na pengon që në të ardhmen të realizohet përmes vullnetit të dy vendeve sepse e kemi një kufi padrejtësisht të vendosur por nëse të dy qeveritë qoftë ajo e Shqipërisë qoftë ajo e Kosovës do të jenë të përkushtuara në bashkëpunim për të gjitha sferat e jetës. Edhe vetë Kuvendi i Kosovës dhe si kryetare e Komisionit për Shëndetësi kam një gatishmëri të plotë që të kemi bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë. Bashkimi mund të ndodhë në forma të ndryshme në kuptimin e asaj që një kufi nuk është pengesë në raportet më të mira”, shtoi Kollçaku.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se një plan për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë nuk parashihet në programin e Qeverisë.

Musliu-Shoshi thotë se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura dhe mund të funksionojnë vetëm në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara për shfrytëzimin e selive të përbashkëta në vendet ku Kosova nuk ka ambasadorë.

“Nëse e lexoni pjesën e politikës së Jashtme është një paragraf i thellimit të bashkëpunimit me Shqipërinë. Unë mund t’i them edhe qeverisë dhe opinionit publik se jemi dy shtete të pavarura dhe ne mund të funksionojmë vetëm në bazë të marrëveshjeve që i kemi të nënshkruara për shfrytëzimin e selive të përbashkëta në vendet ku ne nuk kemi ambasadorë apo nuk na njohin. Ne mund t’i shfrytëzojmë këto seli të përbashkëta. Mirëpo kjo pjesë është harruar komplet. Ne mund të bëjmë edhe iniciativa të përbashkëta me Shqipërinë por siç duket e kanë harruar që ta përfshijnë”, tha ajo për Ekonomia Online.

Sipas deputetes së AAK-së, Time Kadriaj, thotë se deklaratat nga pozita për bashkimin kombëtar janë me qëllime populiste.

“Qoftë bashkim kombëtar, qoftë mosnjohja e flamurit e himnit të Kosovës me të gjitha këto VV-ja ka bërë një populizëm dhe e ka bërë populizëm edhe në paragrafin qe në programin e qeverisë ia ka kushtuar bashkimit kombëtar. Kosova është përcaktuar me qenë pjesë e BE-së dhe po ashtu po kërkojmë që integrimi i Ballkanit perëndimor të shkojmë njëtrajtshëm sepse në tavolinën e bisedimeve me BE-në kemi kërkuar që integrimi i Ballkanit Perëndimor të bëhet njëjtë dhe prapë është e padrejtë që Brukseli zyrtar Serbinë e avancon duke tentuar të marrë statusin e vendit kandidat ndërsa Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo është e padrejtë”, tha Kadriaj për Ekonomia Online.

Lexo më shumë:

Të ngjashme