Osmani: Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës

Prishtinë | 11 Kor 2021 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se sot bota e kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, që sipas saj është barbari e paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Ajo ka deklaruar se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Postimi i plotë:

Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit. Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të të vrarëve atëkohë (bashkë me mbi 8 mijë boshnjakë të tjerë) sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes! Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim.Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit. Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë!Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë!

Të ngjashme