Osmani: BE-ja po negocion me Kinën për vizat, por Kosovën 1.7 milionëshe e ka izoluar

Prishtinë | 30 Mar 2019 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka drejtuar kritika ndaj Bashkimit Evropian sa i përket vonesave në liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas saj BE-ja duhet ta mbajë fjalën, dhe se është e pakuptimtë që ata tashmë i kanë filluar negociatat për liberalizim të vizave me Kinën, ndërkohë vazhdojnë të mbajnë në ‘geto’ Kosovën.

“Është tani radha e BE-së që të respektojë fjalën e dhënë, dhe Italia ka një votë jashtëzakonisht të rëndësishme në Këshillin Evropian”, ka thënë Osmani në një intervistë për agjencinë e lajmeve ‘Nova’ transmeton Gazeta Express.

Osmani ka kujtuar faktin se Kosova tashmë ka përmbushur të gjithë 95 kriteret për liberalizimin e vizave. Ajo thotë se në rast se BE-ja nuk liberalizon vizat për kosovarët, atëherë do të humbasë besueshmërinë në sytë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Shpresojmë që se shpejti Këshilli i BE-së të diskutojë për këtë çështje, pasi është gjithashtu një aspekt që ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Ne po rrezikojmë të futemi në një geto në zemër të Evropës”, ka thënë deputetja e LDK’së, shkruan Gazeta Express.

Sipas Osmanit është e pakuptueshme se si BE-ja e ka lënë jashtë ombrellës së vetë, një vend të vogël prej 1.7 milionë banorësh, kur tashmë negocion për liberalizim vizash edhe me vende të mëdha si Kina.

Deputetja e LDK’së, thotë se është e padrejtë që të ndërlidhet çështja e emigracionit me liberalizimin e vizave.

Ajo thotë se Italia mund të ketë një rol mjaft të rëndësishëm duke qenë një promotor i kërkesave të Republikës së Kosovës në nivelin Evropian.

“Ju jeni një vend që na shpëtuat jetën tonë 20 vjet më parë, pasi populli i Kosovës ishte nënshtruar politikave gjenocidale dhe krimeve të luftës kundër njerëzimit.  Njëzet vjet më vonë, si një vendi i pavarur dhe sovran, Kosova po përpiqet që të kapercejë një sërë pengesash për procesin e konsolidimit dhe forimcimit të shtetit, në mënyrë që të kontribuohet edhe në paqen e rajonit”, ka shtuar Osmani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme