Osmani bën thirrje për respektim të masave: Ju lutem të minimizoni kontaktin me të tjerët

Prishtinë | 13 Mar 2020 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shtojnë kujdesin pas konfirmimit të dy rasteve të para në Kosovë me Koronavirus.

Ajo ka thënë se qytetarët duhen të minimizojnë kontaktet me të tjerët ndërsa ka bërë thirrje që secili të raportojë për gjendjen shëndetësore të tij në rast se vëren simptoma të COVID-19.

Shkrimi i plotë i Osmanit në Facebook:

Të dashur qytetarë,

Në Kosovë tashmë u regjistruan dy rastet e para me Covid-19!

Është koha për kujdes të shtuar dhe respektim të plotë dhe strikt të të gjitha rregullave dhe udhëzimeve nga institucionet e vendit.

Le ta ndihmojmë njëri-tjetrin duke u kujdesur me zbatimin e masave parandaluese, të cilat konsistojnë në mbajtjen e nivelit të lartë të higjienës sonë në funksion të mbrojtjes sonë dhe të të tjerëve.

Covid-19 tashmë është kërcënim global dhe është e domosdoshme të mobilizohemi dhe të solidarizohemi gjithanshëm nëse duam që këtë situatë ta tejkalojmë sa më lehtë.

Ju lutem të minimizoni kontaktin me të tjerët dhe të raportoni mbi gjëndjen tuaj të shëndetit në rast të vërejtjes së simptomave të Covid-19 në numrat e telefonave të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë para se të vendosni të drejtoheni tek institucionet shëndetësore. Vetëm në mënyrë të tillë do t`i përballojmë më lehtë pasojat e kësaj pandemie globale.

Po ashtu, bëj thirrje që të mos bëhet keqpërdorim i situatës nga askush, duke vënë theks të veçantë tek rritja e çmimemeve të produkteve dhe shërbimeve gjatë ditëve në vijim. Është kohë që thërret për solidarizim të përgjithshëm, sepse mirëqenia e secilit nga ne kontribuon në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme!

Edhe njëherë, nuk ka nevojë për panik, por për rritje të kujdesit!

Mirëmbetshi e shëndet për të gjithë!

Të ngjashme