Osmani e cilëson si hap pozitiv marrëveshjen për energjinë në takimin me Lajcak

Prishtinë | 29 Qer 2022 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák njofton zyra e Presidencës.

Osmani dhe Lajcak kanë diskutuar për procesin e dialogut, teksa shefja e shtetit ka deklaruar se marrëveshja për energjinë është hap pozitiv.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut në Bruksel, perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja foli për angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke përçuar synimin e qartë të institucioneve tona që procesi të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Presidentja Osmani theksoi se marrëveshja mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë është hap pozitiv në këtë aspekt, duke përmendur se zbatimi është shumë i rëndësishëm”, thuhet në komunikatë.

Ata kanë folur edhe për urgjencën për marrëveshjen e personave të zhdukur si dhe procesin e liberalizimit të vizave. 

“Presidentja Osmani ritheksoi urgjencën për progres në marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, e cila mbetet plagë e thellë në shoqërinë tonë. Tutje, Presidentja Osmani foli mbi nevojën për të pasur një mekanizëm të qartë zbatimi duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Presidentja Osmani dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Lajčák folën edhe për procesin e stërvonuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nevojën për të ecur përpara urgjentisht, duke qenë se ky proces është i një rëndësie të madhe për kredibilitetin e BE-së në Kosovë”, thuhet tutje.

Të ngjashme