Osmani: E kam paragjykuar Kurtin, por isha e ndikuar nga LDK-ja

Prishtinë | 05 Shk 2021 | 22:49 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka thënë se deklaratat që i kishte bërë në të kaluarën për tashmë partnerin e saj të koalicionit, Albin Kurtin, kanë qenë të ndikuara edhe nga LDK-ja.

Ajo tha se ka pasë paragjykime ndaj Kurtit në bazë të “konstruksioneve të ndërtuara në LDK”, njofton Klan Kosova.

“Është e vërtetë që për një kohë të gjatë kam qenë e rrethuar me njerëz që kanë ndërtuar koncesione të tilla dhe që ka qenë e pamundur t’i vërtetosh. S’kam pasë kontakt me Kurtin që ta njihja mirë. Kam pasë paragjykime bazuar në ato konstruksione në partinë ku isha”.

“Tani, sidomos në këtë vitin e fundit, kam arritur ta shoh dhe ta njoh nga afër gjithë qëllimin e tij të mirë për vendin tonë. Në qoftë se janë thënë gjëra të ashpra gjatë fushatës kanë qenë të ndikuara. Realiteti është krejt i kundërt nga ato konstruksione”.

“Kurti e do më të mirën për këtë vend dhe s’është dorëzuar para presioneve dhe trysnive që mund të dalin gjatë rrugës. Ai do të sillet si kryeministër i yni në këtë mandat”.

Osmani tha se asnjëherë s’e ka krahasuar me Hugo Chavez, por se ka qenë duke folur për sistemet e ndryshme ekzistuese nëpër botë.

Të ngjashme