Osmani e quan shpifje lajmin se nuk është lejuar të takojë Bidenin

Prishtinë | 18 Gus 2016 | 14:51 | Nga

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Vjosa Osmani, i ka quajtur analfabetë, kriminelë dhe servilë të gjithë ata publikuan lajmin se emri i saj nuk ishte i përfshirë në listën e politikanëve që do të takonin nënpresidentin amerikan Joe Biden.

Përmes një postimin në rrjetin social Facebook ajo ka reaguar duke i quajtur njoftimet e tilla shpifje të rënda, të orkestruara nga kriminelë e servilë, të cilët operojnë me metoda komuniste.

Lexoni postimin e saj të plotë:

“Një përgjigje për analfabetët-kriminelë-servilë

Mbrëmë vonë, pasi morën urdhrat e tyre nga persona tashmë të njohur, disa analfabetë që të vetmen gjë në CV-në e tyre jetësore e kanë servilizmin e jargavitjen pas kriminelëve, e paskan dezinformuar opinionin se emri i Vjosa Osmanit është larguar nga Ambasada Amerikane nga lista e të ftuarve. Këto të ashtuquajtura portale, që nuk dua t’ua përmend emrin sepse edhe ashtu thuaja askush nuk i lexon e as nuk ju beson, marrin guximin të gënjejnë në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ua mveshur një veprim me të cilin ky shtet, e as Ambasada në vendin tonë, nuk ka asgjë të bëjë.

Po si nuk ju shkoi mendja, në emër të gazetarisë profesioniste, të pyesnit Ambasadën nëse ata vërtetë e kanë bërë një gjë të tillë, por u mjaftuat me gënjeshtrat e analfabetëve-kriminelë sikur ju, të cilët nuk e njohin as punën, as parimin e as interesin shtetëror sepse janë ngritur aty ku janë vetëm nëpërmjet gënjeshtrave e shpifjeve ndaj të tjerëve. Natyrisht, metodat e tilla komuniste të shpifjes e denigrimit personal ka kohë që kanë zënë vend në skenën tonë politike dhe në disa pseudo-portale që i kontrollojnë ose i kanë krijuar rishtazi.

Listat dhe ftesat për deputetët për inaugurimin e rrugës me emrin e djalit të Nënpresidentit Biden janë përgatitur nga Qeveria e Kosovës e JO nga Ambasada Amerikane. Për të konfirmuar këtë, mund t’i drejtoheni vetë me pyetje Ambasadës. Për dallim nga Qeveria e Kosovës (e cila më bënë nder sa herë më largon nga listat që i përgatitë), Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë mirë e njoftuar për relacionet e mia me këtë shtet mik.

Teke fundit, jam e vetmja deputete që ligjëroj në një Universitet në SHBA, paguaj taksa në SHBA, kam kryer edhe Master edhe Doktoraturë në SHBA dhe kam fituar bursa nga Departamenti i Shtetit Amerikan ( e asnjë cent nga Qeveria e Kosovës), kam marrë pjesë në disa prej programeve më prestigjioze të financuara nga shteti amerikan, por mbi të gjitha, kam kaluar vite të tëra duke njohur popullin amerikan: profesorët, studentët, punëtorët, të papunët, grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, diplomatët, senatorë e kongresmenë, e shumë e shumë të tjerë. Parimet e demokracisë i kam mësuar në atë shtet, dhe nëse mund t’ju siguroj për një gjë, ajo është që çdo veprim i imi politik dhe çdo votë e imja do të jetë në përputhje të plotë me ndërgjegjen time dhe me argumentet që i kam përpara. Kështu më ka mësuar Amerika dhe kështu do të veprojë. Këtë ja kam borxh jo vetëm qytetarëve të Kosovës e votuesve të mi, por edhe qytetarëve të Shteteve të Bashkuara, me taksat e të cilëve jam shkolluar për 7 vite me radhë.

Për fund, një koleksion fotosh vetëm për disponimin e atyre që i kanë porositur këto gënjeshtra të ndyta. E fundit, është fotoja ime e parë me një Sekretar Shteti në SHBA, Colin Powell. Në atë kohë isha vetëm studente, por isha në një grup të ngushtë të selektuar për darkë me Sekretarin e Shtetit. Për këtë takim nuk më ndihmoi as politika e as partia. Vetëm puna ime. Ndiqeni këtë rrugë nëse doni të ju respektojnë edhe populli juaj por edhe miqtë tanë. Por, natyrisht, këtë rrugë e këtë gjuhë nuk kanë si e kuptojnë analfabetët-kriminelë-servilë”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme