Osmani e shqetësuar me rritjen e numrit të të infektuarve, bën thirrje për kujdes

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur e shqetësuar për rritjen e numrit të rasteve me Coronavirus.

“Njoftimi rreth rasteve të reja me COVID-19 është shqetësues dhe dëmton përkushtimin e deritanishëm, deri në vetëmohim, në luftën kundër pandemisë. Janë vetëm 19 javë që përballemi me coronavirusin dhe kemi ende shumë për të mësuar rreth tij. Historia tregon shembuj të mëhershëm të rikthimit të valëve te infeksionit, të cilat shpesh janë përcjellë me goditje dhe më të rënda sesa në valën e parë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka bërë apel që të respektohen masat dhe mbahet distanca dhe higjiena personale.

“Andaj, duhet të vazhdojmë̈ ta mbajmë distancën fizike dhe të kujdesemi për higjienën personale, duke i respektuar masat dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Të vazhdojmë që, me sjellje të kujdesshme, të tregojmë përgjegjësi shoqërore ndaj shëndetit tonë dhe të të tjerëve! Asgjë nuk ka mbaruar, deri sa të mbarojë”, ka shkruar Osmani.

Të ngjashme