Osmani: Faktori ndërkombëtar mos ta trajtojë Serbinë si fëmijën e lazdruar të Evropës

Prishtinë | 24 Sht 2021 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në forumin e bashkëbisedimit me liderë botërorë, ndërsa në një bisedë në Universitetin “Columbia”, ajo foli edhe për reciprocitetin e targave që së fundmi Kosova i vuri Serbisë.

Osmani deklaroi se faktori ndërkombëtar nuk duhet ta trajtojë Serbinë si “fëmijën e lazdruar të Evropës” pasi ishte ajo që eskaloi situatën rreth kësaj çështje.

Presidentja e Kosovës e konsideron reciprocitetin në tregti si një prej parimeve më të shëndosha në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe, sipas saj, ishte gjëja e vetme që i mbeti Kosovës pas skadimit të marrëveshjes të vitit 2011 në Bruksel.

“Reciprociteti në tregti apo në masa tjera është një prej parimeve më të shëndosha në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ka qenë shumë e vështirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për serbët që jetonin në Kosovë, që t’i ndryshonin targat sa herë futeshin në Serbi. Në mënyrë arbitrare donin të zhveshin nga identiteti me të hyrë në territorin e tyre. Jemi përpjekur ta bindim Serbinë që të largojë këtë barrierë, nuk donin të dëgjonin dhe kur skadoi kjo marrëveshje e vitit 2011, masa e vetme që i mbeti i Kosovës ishte kjo e targave të përkohshme. Ne i kemi thënë faktorit ndërkombëtar që reciprociteti i targave është ose i mirë nga të dyja shtetet, ose është i keq nga të dyja shtetet. Ne i kemi thënë se kur do të vendosë Serbia t’i largojë targat provuese, të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe ne. Ne jemi pajtuar për një marrëveshje me ndërmjetësin e dialogut të BE-së, edhe pse nuk ishim të lumtur, por në fund Serbia tha jo. Mendojmë që është koha t’i qasemi palës që ka eskaluar situatën dhe jo ta trajtojnë si ‘një fëmijë i lazdruar i Evropës’“, u shpreh Osmani.

Osmani ndër të tjera përmendi edhe ndikimin e madh të Rusisë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, duke përdorur Serbinë.

“Kosova është një nga vendet e vetme në rajon që i kemi refuzuar vaksinat nga Rusia dhe Kina, për ta ndaluar ndikimin e tyre. Rusia e përdor Serbinë si trampolinë për ndikimin në rajon. Serbia e ka lidhur bashkëpunimin ushtarak me Rusinë dhe Kinën, dhe janë duke provuar ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, si me situatën e tensionuar në Veri, apo me Republikën Srpska në Bosnjë, apo së fundmi edhe në Malin e Zi. Unë dhe presidentët e rajonit jemi të shqetësuar me këtë ndikim. Modeli rus i aneksimit është model që po tenton ta provojë Serbia në Ballkanin Perëndimor përmes Republikës Srpska apo në një tjetër mënyrë. Serbia është e njëjta, me qëllime të njëjta, por vetëm ka ndryshuar strategjinë”, ka thënë ndër të tjera Osmani.

Reciprociteti i targave u vendos nga kryeministri Albin Kurti të hënën, gjë që ka tensionuar gjendjen në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku rrugët janë tash e pesë ditë të bllokuara nga serbët.

Të ngjashme