Osmani ka pranuar telegrame urimi nga presidentët e këtyre 3 shteteve dhe Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë

Prishtinë | 18 Shk 2022 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Osmani ka pranuar telegrame urimi nga presidentët e Lituanisë, Maqedonisë, Singaporit dhe Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka pranuar telegrame urimi me rastin e 14 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në vazhdën e telegrameve të urimit, Presidentja Osmani ka pranuar telegram urimi nga presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.

“Lituania mbështet fuqishëm përpjekjet e Kosovës për integrim evropian. I uroj Kosovës unitet dhe prosperitet!”, thuhet në telegramin e Nauseda.

Në 14 vjetorin e pavarësisë së vendit, Presidentja Osmani ka pranuar telegram urimi edhe nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

“Duke shfrytëzuar këtë mundësi solemne, më lejoni të shpreh kënaqësinë time për trendin pozitiv të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, si dhe shpresën dhe sigurinë time se në periudhën e ardhshme do të promovojmë dhe pasurojmë bashkëpunimin e vendosur dypalësh dhe rajonal, dhe veçanërisht në procesin e përmbushjes së prioriteteve strategjike të dy vendeve tona dhe anëtarësimit të tyre të plotë në Bashkimin Evropian. Takimi ynë në dhjetor 2021 në Prishtinë konfirmoi angazhime të tilla dhe hapi një vizion për zhvillimin e mëtejshëm të miqësisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendeve tona”, thuhet në telegramin e presidentit Pendarovski.

Presidenten Osmani për 14 vjetorin e pavarësisë së vendit e ka uruar edhe presidentja e Singaporit, Halimah Yacob.

“Me rastin e gëzuar të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj që në emër të popullit të Singaporit, të përcjellë urimet e mia më të ngrohta dhe dëshirat më të mira për paqen, përparimin dhe lumturinë e vazhdueshme të vendit dhe popullit tuaj. Singapori do të vazhdojë të punojë ngushtë me komunitetin ndërkombëtar për të forcuar reagimin tonë kolektive ndaj sfidave globale”, thuhet në telegramin e presidentes Halimah Yacob.

Në përvjetorin e pavarësisë së vendit, e para e vendit ka pranuar telegram urimi edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë (OIF).

“Më lejoni të shfrytëzoj rastin t’ju ritheksoj rëndësinë që i kushtoj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Frankofoni dhe marrëdhënieve tona institucionale dhe të bashkëpunimit. Në veçanti, shpresoj që këto të mund t’i thellojmë në fushën e mësimdhënies së frëngjishtes përmes përafrimit të bërë me Qendrën Rajonale të OIF në Sofje, CREFECO-n si dhe përmes projektit të trajnimit që drejtojmë së bashku për diplomatët dhe zyrtarët qeveritarë”, thuhet në telegramin e Sekretares së Përgjithshme e Frankofonisë, Louise Mushikiwabo.

Të ngjashme