Osmani: Kam komunikim të shkëlqyeshëm me LDK-në, por jo me Isa Mustafën

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 21:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka folur për raportin e saj me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Osmani tha se kohëve të fundit nuk ka komunikim me të parin e LDK-së, por që ka komunikim të shkëlqyer me komplet grupin parlamentar të kësaj partie.

“Unë nuk kam fare mungesë komunikimi me LDK si parti. E përmenda zotrin Hoti si kryeministër, por nuk është krejt LDK-ja Avdullah Hoti. Jo në kohët e fundit nuk kam komunikim me zotrin Mustafa por kam komunikim me komplet grupin parlamentar të LDK-së dhe komunikim të shkëlqyer”, ka thënë Osmani në Ktv.

Javën e kaluar, Osmani kishte reaguar ashpër ndaj liderit të LDK-së, duke thënë se është një njeri i njohur për mashtrim, ndryshim qëndrimesh e tregti me parim.

“Gjithçka mund të gjesh tek Isa Mustafa si tipar: mashtrimin, devijimin, ndryshimin e qëndrimeve sa hap e mbyllë sytë, tregtinë me parime etj, por nuk mund të gjesh asnjë pikë njerëzillëku”, kishte shkruar Osmani në profilin e saj.

Ish-nënkryetarja e LDK’së ka thënë se i ka besuar Mustafës në vitin 2019, kur sipas saj, ai kishte thënë se bashkë do t’i largojnë “bandat mafioze nga pushteti”

“I kam besuar, siç i beson dikush prindit të vet, si në vitin 2014, poashtu më 2019, kur më premtonte çdo ditë se nuk do ta braktisë rrugën që e nisëm bashkë dhe ata të cilët vet Mustafa i cilësonte “banda mafioze”, do t’i largojmë nga udhëheqja e shtetit”, ka shtuar ajo.

Tutje ajo ka thënë se Mustafa është bërë shërbetor i ‘bandave mafioze’.

“Lëre që e braktisi këtë rrugë, por tani po dëshmohet si shërbëtori më i denjë i po këtyre kastave që vet i cilësonte “banda mafioze”. Madje si recidivist…E tash, edhe duke tentuar të fitojë pikë te këto “banda mafioze”, duke më sulmuar mua”, ka theksuar kryekuvendarja.

Osmani ka thënë se mund të ketë gabuar gjatë rrugës, derisa thotë se gabimi më i madh është që i ka besuar Isa Mustafës.

Ky reagim kishte ardhur pas një interviste të Mustafës për Gazetën Express ku kishte thënë se Vjosa Osmani është një kopje e Kurtit e cila edhe i ka humbur zgjedhjet e 6 tetorit.

Të ngjashme