Osmani kërkon që Qeveria të japë dorëheqje, pas skandaleve në politikën e jashtme

Prishtinë | 22 Nën 2018 | 10:37 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në seancën e jashtëzakonshme me kërkesën e 42 deputetëve që të ketë debat parlamentar lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.

Ajo ka theksuar se pas përfundimit të këtij debati pret miratimin e rezolutës për dorëheqjen e kësaj Qeverie.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës pas debatit parlamentar në seancën e jashtëzakonshme lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe VV-së, nxjerr këtë rezolutë me një pikë të vetme: Me qëllim të ndërprerjes së çdo përpjekje që konteston shtetësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të cilat duhet ta konsolidojnë dhe ta forcojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në përputhje me orientimet e saj gjeopolitike për integrime euro-atlantike”.

Osmani ka vlerësuar se politika e jashtme e Kosovës ka dështuar dhe se me hapjen e temës së korrigjimit të kufijve është hapur edhe tema e shtetësisë së Kosovës.

“Presidenti i rrezikshëm i vendit tonë po rrezikon miqësitë e kamotshme të Kosovës me aleatët ndërkombëtar. Kur kërkohet të mos nënshkruaj asgjë pa bekimin e Gjermanisë, ai mburret se përkundër mos bekimit të Gjermanisë e ka atë të Rusisë”.

“Në këtë aventurë të rrezikshme, presidenti i vendit vazhdon me idenë ruso-serbe për çështjen e kufijve, dhe duke parë që nuk po gjen përkrahje nga partitë politike në vend, presidenti e ka gjetur një aleat, ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli”.

Osmani deklaroi se kjo temë i ka kushtuar Kosovës me mungesë të njohjeve dhe dështim në anëtarësimin nëpër organizata botërore.

Të premten, kjo seancë e thirrur nga opozita për të diskutuar, sipas tyre, dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Kosovës dështoi.

Mungesa e ligjvënësve dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, shtyri thirrësin e këtij debati, LDK-në, të tërhiqet.

Pacolli me një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe deputetëve, ka kërkuar shtyrjen e seancës së jashtëzakonshme në të cilën do të sqaronte dështimet e Kosovës në politikën e jashtme.

Pacolli në këtë letër është arsyetuar se ka agjendë të caktuar më herët dhe se për këtë shkak ka kërkuar shtyrjen e seancës.

Kjo seancë mbahet dy ditë pasi Kosova dështoi të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare për bashkëpunim policor, Interpol.

DREJTPËRDREJT – Vazhdon Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas kërkesës së 42 deputetëve lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës

Posted by EkonomiaOnline on Thursday, November 22, 2018

Të ngjashme