Osmani: Kosova diskuton në dialog për çështjen e të pagjeturve jo për statusin e saj

Prishtinë | 13 Maj 2021 | 17:42 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Vjosa Osmani tha se ka njoftuar presidentin slloven, Borut Pahor se Kosova do të ulet në tavolinën e dialogut me Serbinë, por nuk do të pranoj që çështja e kufijve të diskutohet, raporton Ekonomia Online.

“Prandaj unë e potencova gatishmërinë e Kosovës të jetë pjesë e dialogut duke e pasur parasysh që statusi jonë është përcaktuar më 17 shkurt e gjithashtu edhe kufijtë. Kosova do të ulet në tavolinë për të diskutuar për çështje të rëndësishme siç është çështja e personave të pagjetur”, u shpreh ajo në një konferencë të përbashkët me homologun e saj slloven.

Më tej, Osmani tha se ka koordinim të plotë mes institucioneve lidhur me padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Osmani tha se në Kosovë është kryer gjenocid dhe se për padinë duhet përgatitje e thellë dhe konsultim me ekspertë.

Tutje, presidentja Osmani tha se gjatë takimit me presidentin Pahor ka potencuar se liberalizimi i vizave do të forconte kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Ishte vizitë punë me qëllim që të bëjmë përgatitjet e nevojshme për procesin e Bërdo-Brionit që do të mbajë takimin e radhës dhe për të shënuar 10 vjetorin e këtij procesi, në Bërdo më 17 maj, ku unë do ta përfaqësoj Republikën e Kosovës. Diskutuam për temat që pritet të trajtohen aty, me theks nevojën për bashkëpunim rajonal dhe përshpejtim të procesit të integrimit evropian të gjithë rajonit tonë. E sigurova presidentin [Borut] Pahor se Kosova e ka procesin e integrimit evropian prioritet mbi prioritetet, sepse përveç se është pjesë e preambulës së Kushtetutës tonë është po ashtu vullnet i popullit tonë, prandaj reformat që duhet të ndërmerren si pjesë e këtij procesi nuk i shohim si çështje të imponuara, por janë reforma që janë në të mirë të qytetarëve tanë, sepse kanë të bëjnë me sundim të ligjit, arsim dhe shëndetësi më të mirë dhe kanë të bëjnë me paqe e stabilitet si vlera të përbashkëta europiane për të cilat populli i Kosovës ka luftuar e ka dhënë kontribut përherë “.

Ajo ka thënë se Kosova ka nevojë për ndihmën e Sllovenisë sa i përket sigurimit të vaksinave anti-Covid.

“Për pandeminë, akoma kemi nevojë për mbështetje, shpresoj shumë që Sllovenia do ta ndihmojë Kosovën, siç thotë populli ynë, ‘miku i mirë gjendet në kohë të vështira’, dhe shpresoj që Sllovenia do të vazhdojë ta bëjë këtë”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme