Osmani: Kosova ka nevojë për më shumë gra në pozitat udhëheqëse – Integrimi i tyre, synim i përditshëm i yni

Prishtinë | 08 Qer 2022 | 10:51 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka organizuar konferencën mbi temën “Dita e hapur globale e Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë”.

Aty u bisedua për avancimin e pjesëmarrjes së gruas në proceset politike.

Për avancim të grave u zotua e para e shtetit, Vjosa Osmani. Derisa foli për rëndësinë e kësaj konference, Osmani tha se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në proceset e sigurisë është garanca më e mirë për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë

“Është një platformë shtesë për të fuqizuar zërin e vajzave dhe grave. Kosova qshtë pjesë e hartës botërore të ditëve të hapura. Kosova sivjet për herë te parë do të organizojë për herë të parë forumin për gratë, paqen dhe sigurinë. Jam jashtëzakonisht e lumtur që më 22-23 tetor në bashkëpunim me partner të shumtë do ta bëjmë Kosovën pjesë të diskutimeve globale mbi rëndësinë e kësaj agjende”, tha Osmani.

“E kemi të qartë se kemi shumë punë për të bërë. Kemi kaq shumë sfida të reja, këtë takim dhe diskutim po ndodh në një kohë kur paqja, siguria dhe liria janë sulmuar sërish në zemër të Evropës.. përderisa jemi dëshmitarë të këtyre vuajtjeve, dhe na kujton dhimbjen është më se e natyrshme që ne si Kosovë te angazhohemi shumë për jetësimin e kësaj agjende”, tha tutje Osmani.

Osmani tha se institucionet aktuale e kuptojnë rëndësinë e integrimit të fuqizimit të grave dhe vajzave në çdo sektor e strategji pa dallim.

“Integrimi i vajzave dhe grave është një synim i përditshëm dhe këtë mund ta arrijmë kur garantojmë barazi në të gjitha fushat. Ne e kuptojmë se ky mund të jetë rrugëtim i gjatë dhe i vështirë por vullneti ekziston dhe vizioni gjithashtu. Ne kemi nevojë për më shumë gra në pozita udhëheqëse. Gratë mund ta bëjnë këtë, shoqëria jonë ka nevojë për këtë”, tha në fund Osmani.

Përfaqësuesja speciale e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Caroline Ziadeh, foli për rëndësinë që OKB po i jep rezolutës për gratë, paqen dhe sigurinë.  

“Të shkojmë së bashku në një udhëtim nga 850 delegatët në themelimin e kombeve të bashkuara 77 vite më parë patëm vetëm 4 gra. Megjithatë këto gra e ritheksuan në kartën themeluese të OKB-së që ne populli kemi të drejtat fondamentale dhe vleftën e personit dhe të drejtat e barabarta të burrave dhe grave. Udhëtimi nuk mbaron aty. OKB me agjencitë e fondet e programet thekson rolin politik dhe kontributin e vajzave e grave anë e kënd botës. 22 vite ë parë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi rezolutën 13/25 për gratë, paqen dhe sigurinë. Kjo rezolutë njeh se pjesëmarrja e grave në proceset vendimtarë kontribuon në shoqëri demokratike dhe në ngritjen e nivelit të paqes së qëndrueshme”, tha ajo.

Ulrika Richardson koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim tha se ky është takimi fundit i saj, pasi e përfundon misionin në Kosovë. Duke folur për rezolutën e OKB-së, tha se nuk po shihen rezultatet.

“22 vite po flasim për rezolutën e Këshillit të Sigurimit  dhe ende jemi duke folur por në të vërtetë nuk po i shohim rezultatet, jemi shumë larg por duhet të shtyjmë përpara. Kam qenë e impresionuar nga katër vitet nga cilësia dhe vendosmëria dhe pasioni i lëvizjes së grave në Kosovë dhe rajon.  Pikënisja këtu ka të bëjë me pjesëmarrjen e sotme. I dimë kuadrot që kanë bërë shumë punë në parlamentin e Kosovës dhe jo vetëm sepse kur i përfshin gratë në politike i përfshinë edhe në politikbërje”, tha ajo.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, foli zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi. Ajo falënderoi pjesëmarrësit në këtë ngjarje, teksa kërkoi trajtim të barabartë për të gjithë pa dallim.

“Është kënaqësi që jam pjesë e këtij manifestimi që i jepet paqes e stabilitetit në vendet ku të gjitha ne gjendemi gjatë gjithë vitit. Në emër të qeverisë dhe të qytetarëve edhe në emër të pakicave një falënderim të madh për gjitha këto vite që keni pas ndikim që proceset demokratike të ecin para. Tema e ditës së sotme që i dedikohet të drejtave të grave, paqes dhe sigurisë ka të bëjë me të gjithë ne me familjen tonë mjedisin ku jetojmë dhe brenda shtetit. Deri në atë masë sa ne do të jemi të njëjtë në atë proces do të arrijmë të ndryshojmë shoqërinë tonë dhe të pranojnë fqinjët tanë në mënyrë të barabartë”, tha ajo.  

E ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, tha se me pjesëmarrjen e grave në proceset politike është gjëja e duhur dhe efektive për të arritur rezultate më të mira.

Fjala e plotë e presidentes Osmani në “Ditët e Hapura Globale”

E nderuar zv. Kryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Redzepi.

Të nderuara znj. Ziadeh dhe znj. Richardson,

Të nderuara shkëlqesi ambasadore që jeni zot present,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë,

Të nderuar të pranishëm,

Mirë se ju gjej në këtë Ditë Globale të Hapur, të organizuar nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara që ka për qëllim të na shërbejë si një platformë e rëndësishme për rishikimin e zbatimit të rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit lidhur me Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Por mbi të gjitha, është një platformë shtesë për të fuqizuar zërin e vajzave dhe grave.

E mirëpres faktin që Kosova është pjesë e hartës botërore të Ditëve të hapura globale të cilat në qendër të vëmendjes e kanë Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Se këtë agjendë e marrim seriozisht dhe që besojmë në rëndësinë e saj për t`i transformuar shoqëritë tona dhe proceset e paqes dhe sigurisë e dëshmon fakti që Kosova sivjet për herë të parë do të organizoj Forumin e nivelit të lartë ndërkombëtarë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ky ishte një ndër zotimet tona kryesore në kuadër të Samitit për Demokraci të organizuar nga Presidenti Biden, dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që më 22 dhe 23 tetor së bashku më Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, si dhe në bashkëpunim me partnerë të shumtë, në mesin e të cilëve edhe shumë nga ju që jeni sot këtu prezent, do ta bëjmë Kosovën pjesë të diskutimeve globale mbi rëndësinë e kësaj agjende, si dhe mbi sfidat e mundësitë për zbatimin e suksesshëm të saj.

Gati 22 vite që nga miratimi i Rezolutës 1325, e cila pastaj u pasua edhe nga 9 rezoluta të tjera të njohura nga të gjithë si Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e kemi të qartë se kemi ende akoma shumë punë për të bërë. Por, mbi të gjitha, kemi kaq shumë sfida të reja e dinamika shqetësuese që e bëjnë diskutimin mbi implementimin e kësaj agjende jashtëzakonisht të rëndësishme.

Ky takim dhe ky diskutim sot po ndodh në një kohë kur paqja, liria dhe siguria janë sulmuar sërish në zemër të Evropës dhe kur vajzat dhe gratë e Ukrainës janë cak i dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Andaj, përderisa jemi dëshmitarë të këtyre vuajtjeve të cilat na përkujtojnë dhimbjen dhe prekin plagët e freskëta tona të luftës, është më se e natyrshme që si Kosovë ne angazhohemi jashtëzakonisht shumë për jetësimin e kësaj agjende brenda e jashtë kufijve tanë.

Premisa fillestare e secilit diskutim duhet të jetë se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në procese të paqes dhe të sigurisë është garanca jonë më e mirë për paqe dhe siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Në qoftë se siguria është parakusht për ruajtjen e paqes në botë, atëherë është dialogu, komunikimi dhe koordinimi që kontribuojnë drejtpërsëdrejti në ruajtjen dhe në mirëmbajtjen e paqes. E në këtë drejtim, janë pikërisht vajzat dhe gratë ato që gjithnjë kanë ndihmuar, mund të ndihmojnë dhe do të vazhdojnë të ndihmojnë që ne  të arrijmë së bashku këtë qëllim.

Kosova e ka miratuar Rezolutën 1325 dhe ne besojmë në fuqinë transformuese të saj. Megjithatë, deri sa sot flasim për sfidat që ndërlidhen me zbatimin e saj, është e pashmangshme të mos adresojmë pjesën e kontekstit kulturor e shoqëror në vendin tonë e jo vetëm. Është e pamundur të neglizhojmë ndikimin e drejtpërdrejt të mendimit patriarkal në drejtim të zbatimit dhe përmbushjes së zotimeve dhe synimeve që janë pjesë e kësaj agjende.

Por, po kaq e rëndësishme është të kuptojmë se fuqizimi i vajzave dhe grave nuk mundet kurrsesi të trajtohet vetëm si një agjendë e izoluar. Institucionet aktuale e kuptojnë qartë rëndësinë e integrimit të fuqizimit të grave e vajzave si koncept, si politikë, dhe si praktikë, në çdo sektor dhe në çdo strategji pa dallim. Ne kemi një momentum të ri dhe një dritare të re të mundësive për krijimin e parakushteve të duhura për jetësimin e kësaj agjende.

Integrimi i grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë është padyshim një synim i përditshëm, por këtë mund ta arrijmë vetëm kur garantojmë barazi në të gjitha fushat tjera po ashtu. Kur mendojmë për pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në sektorin e sigurisë, sigurisht që e kuptojmë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e parakushteve për vendosjen e grave në pozita të caktuara. Përkundrazi, bëhet fjalë për transformimin e vetë strukturave udhëheqëse, menaxhuese e administrative, si dhe transformimin e mentalitetit të gjithmbarshëm. Ne e kuptojmë që ky mund të jetë një rrugëtim i gjatë e i vështirë, por vullneti ekziston e vizioni gjithashtu.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne kemi nevojë për më shumë gra në struktura udhëheqëse. Kjo nuk është thjesht një dëshirë – kjo bazohet në fakte dhe prova të qarta se gratë mund ta bëjnë këtë, por më e rëndësishmja, sepse shoqëria jonë e dëshiron këtë, ka nevojë për këtë dhe është e gatshme ta garantoj këtë.

Dëshmi e pastër e kësaj është prezenca dhe suksesi i jashtëzakonshëm i vajzave dhe grave tona në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në Policinë e Kosovës. Prandaj, po punojmë së bashku me ushtrinë tonë dhe me policinë tonë për të ndihmuar gratë dhe vajzat që të arrijnë aty ku e meritojnë të jenë.

Prandaj, edhe gradimi i znj. Irfete Spahiu si gjeneralmajorja e parë në historinë e Kosovës, e njëherit edhe inspektore e përgjithshme e FSK-së ka qenë një prej momenteve më krenare të punës sime si Presidente. Duke ndërtuar modele të tilla, siç e ka ndërtuar me punën dhe meritën e saj gjeneralmajorja Irfete Spahiu dhe shumë vajza e gra në ushtrinë tonë dhe policinë tonë ato po japin një shembull të shkëlqyeshëm edhe për vajzat e tjera të reja në Kosovë, se çfarë rrugëtimi duhet të ndjekin.

Prandaj, fuqimisht besoj në faktin se asnjë proces i paqes nuk mund të ketë sukses kur gjysma e shoqërisë lihet pas. Duke e dhënë kontributin tonë të drejtpërdrejtë si në sektorin e sigurisë ashtu edhe në sektorë të tjera, ne e kemi një shans për ta bërë vendin tonë dhe gjithë botën një vend më të mirë dhe një vend më të sigurt për të gjithë. Sepse, siç dëshmojnë studimet dhe shembujt e përditshëm anekënd botës, kur vajzat dhe gratë janë të pranishme dhe zëri i tyre dëgjohet në vendimmarrje – ne kolektivisht performojmë më mirë.

Por, mbi të gjitha, jam e bindur që vajzat dhe gratë e kanë forcën, njohuritë, fuqinë dhe kapacitetin për t’i realizuar objektivat tona të përbashkëta. Në fund të fundit, kur e rrisim pjesëmarrjen e grave në paqe dhe siguri, ne të gjithë së bashku i rrisim shanset tona për të siguruar paqe të qëndrueshme në botë.

Dua ta përmbyll këtë fjalim duke thënë se reformat që duam t’i shohim në shoqërinë tonë, qoftë në sektorin e sigurisë apo sektorë të tjerë, nuk do të jenë të suksesshme nëse fokusohemi vetëm në synime e veprime afatshkurtra. Këto reforma duhet të jenë të rrënjosura thellë, duhet të jenë strukturore, sistematike dhe të përpiluara mbi bazën e politikave të menduara mirë e afatgjata.

Në këtë rrugëtim nuk kemi të bëjmë vetëm me atë se a kemi më shumë gra që e udhëheqin një institucion – kjo padyshim se është e rëndësishme; por ne duhet të sigurohemi që gratë lidere përkushtohen edhe për fuqizimin e grave të tjera gjatë rrugës e sipër; përkushtohen të punojnë me kolegët burra në këtë drejtim; dhe sigurohemi që burrat kontribuojnë po ashtu që të kemi këtë barazi, e po ashtu se bashku angazhohemi që të kontribuojmë  në prezantimin e perspektivave të reja sa i përket perceptimit të roleve të burrave dhe grave në shoqërinë tonë.

Duke ju parë juve që jeni prezente në këtë event, por edhe nga eksperienca ime e përditshme me gra të jashtëzakonshme në kabinetin tim, si dhe në të gjitha institucionet me të cilat bashkëpunoj, e duke qenë dëshmitare e sukseseve të shumta të grave e vajzave anembanë botës, kam besimin e plotë se gjërat do të mund t’i bëjmë shumë më mirë, shumë më mirë se sa deri tani, e mbi të gjitha t’i bëjmë ato së bashku.

Diskutimet e sotme padyshim se do të pasohen nga diskutimet në Forumin që do të organizojmë në tetor dhe me padurim pres që t’ju takoj të gjithave në kuadër të këtij eventi e të shohim se si së bashku mund të faktorizojmë Kosovën në drejtim të implementimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e mbi të gjitha se si së bashku mund të sigurojmë më shumë barazi për të gjithë qytetarët tanë.

Të ngjashme