Osmani kujton masakrën e Rezallës: Liria ka kuptim kur përgjegjësit të vihen para drejtësisë

Prishtinë | 05 Pri 2021 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 22-vjetorin e masakrës së Rezallës derisa ka kërkuar drejtësi.

Duke kujtuar një historik të kësaj masakre, Osmani ka shkruar se në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit, ndanë nga gratë, nënat e motrat, 98 djem e burra dhe i ekzekutuan mizorisht. 44 nga këta civilë të vrarë ishin të pagjetur.

Disa vite më pas, sipas saj, një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës.

“Tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb. 22-vjet pas, nevoja për drejtësi riaktualizohet, duke u bërë përpjekje e vazhdueshme e institucioneve të vendit”, ka shkruar ajo.

Osmani ka shkruar se nuk do të ndalën së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë.

“Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë! Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit! Qoftë i përhershëm kujtimi për 98 të vrarët në Masakrën e Rezallës”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme