Osmani në 16 vjetorin e vdekjes së Rugovës: Fytyra e shtetit është ai

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se Ibrahim Rugova ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet.

Duke e kujtuar në 16 vjetorin e vdekjes së tij, Osmani përmes një postimi në Facebook tutje tha se Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash.

“Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet”, ka shkruar mes tjerash Osmani, njofton Klankosova.tv.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të presidentes:

Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet.

Që të trija u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës.

Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova.

Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide.

Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash.

“Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”.

Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet.

Të ngjashme