Osmani në Suharekë: Regjisorët e Klanit Pronto s’mund ta luftojnë korrupsionin

Prishtinë | 17 Sht 2019 | 18:15 | Nga Ekonomia Online

Në një tubim me qytetarët e Suharekës, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se nuk mund ta luftojnë korrupsionin në Kosovë, ata që janë regjisorë të Klanit Pronto.

“Izolimi nuk merr fund nga ata që dalin me parulla antikorrupsion e në fakt janë regjisorë të Prontos. LDK i ka dyert e hapura çdokund në botën demokratike, sepse e kuptojnë drejt programin tonë për zhvillim”, ka thënë Osmani.

Ajo ka potencuar se liria dhe shteti ynë u ndërtua me mund e me gjak, ndërsa tani ka ardhur koha, që atë mund dhe atë sakrificë ta nderojmë me punë.

“Mundi dhe sakrifica nuk nderohet dhe nuk vlerësohet duke e vjedh shtetin. Duhet me i dhanë fund praktikave, njerëzve dhe qeverive, të cilët nuk bën asgjë tjetër, pos që keqpërdorën votën dhe besimin e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës na njohin mirë dhe na njohin gjatë. Na njohin qe tri dekada. Të gjithë janë të bindur se nuk mund të hapen dyert e Kosovës nëpër botë nga ata të cilët bota i ka izoluar. Nuk mundet rinia jonë të prosperojë derisa përfaqësohet nga liderë të cilëve ua ka mbyllë derën e gjithë bota demokratike”, ka thënë kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Osmani pohoi se neve nuk na bindin ata që provuan ta kapin çdo segment të jetës, të shtetit dhe çdo institucion. “Paranë e qytetarëve, djersën tuaj, mundin tuaj, vetëm e keqpërdorën dhe e futën në xhepat e tyre personal. Pas 20 vitesh, as Suhareka dhe as Kosova, nuk duhet tu falim këtyre keqpërdoruesve asnjë sekondë. Më 6 tetor duhet t’ju japim fund abuzuesve dhe t’i japim një mundësi njerëzve që kanë program për zhvillim, që në qendër e ka rininë tonë, familjen dhe hapin perspektivë për qytetarët tanë, të cilët nuk do ta shohin shpëtimin tek ikja, por tek shteti i tyre”, shtoi Osmani.

Ajo tha se miqtë tanë po i kritikojnë oponentët tanë se i kanë mbushur listat me njerëz me aktakuza, e me njerëz që nuk janë të pastër para ligjit. “Ekziston vetëm një listë e pastër për zgjedhjet e 6 tetorit dhe ajo është lista e LDK-së”, tha Osmani.

Gjatë takimit me qytetarët e Suharekës janë prezantuar edhe tre kandidatët e LDK-së për deputetë nga kjo komunë: Ardian Shala, Shqipe Ramaj dhe Bexhet Kuçin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme