Osmani në takim me ministren britanike: Partitë opozitare të përfshihen në dialog

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani zhvilloi takim virtual me Wendy Morton, Ministre për Fqinjësi Evropiane dhe Amerikë në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, e cila e uroi atë për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.

Presidentja Osmani potencoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet aleate strategjike e Republikës së Kosovës dhe se do të angazhohet për thellimin e raporteve bilaterale në fushat politike, tregtare, të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, si dhe kulturës dhe arsimit.

Presidentja Osmani theksoi se prioritete të institucioneve janë sigurimi i vaksinave kundër COVID-19, krijimi i vendeve të punës dhe sundimi i ligjit.

Presidentja Osmani kërkoi përkrahje nga Mbretëria e Bashkuar në furnizim me vaksina për qytetarët e Kosovës, marrë parasysh se Mbretëria e Bashkuar është shtet lider në vaksinim të popullatës.

Ministrja Morton nënvizoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për intensifikim të raporteve bilaterale.

Më tej, ministrja Morton inkurajoi Kosovën që të jetë pjesë e agjendës globale mjedisore dhe luftimit të ndryshimeve klimatike.

Presidentja Osmani dhe Ministrja Morton diskutuan për dialogun me Serbinë dhe potencuan rëndësinë e përfshirjes së gjitha grupeve politike, përfshirë partitë opozitare, në temat e interesit kombëtar.

Të ngjashme