Osmani: Nëse s’tregohet kujdes ndaj Coronavirusit, beteja me të do të jetë e dhimbshme

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse nuk tregohet kujdes nga koronavirusi, beteja ndaj tij do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka shkruar se 24 orëshi i fundit shënoi numrin më të madh të të infektuarve.

“24-orëshi i fundit shënoi numrin më të madh të të infektuarve të konfirmuar me Covid-19, gjithsej 79. Ky numër tregon fuqinë e armikut të padukshëm, dëshmon se, nëse ne, sikur thonë profesionistët shëndetësorë, ne i japim këmbë atij, ia bartim atë tjetrit, beteja ndaj tij do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme”, ka thënë ajo.

Ajo tutje iu ka bërë thirrje qytetarëve t’iu përmbahen masave të ndërmarra për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

“Prandaj, të bëhemi të gjithë bashkë për ta ndalur atë, për të shpëtuar jetët tona e të të dashurve tanë; t’i kufizojmë liritë tona sot që t’i gëzojmë përherë pastaj; ta kuptojmë se fatin e betejës e kemi në duart tona dhe se vetëm duke qëndruar në shtëpi dhe duke i ndjekur udhëzimet e profesionistëve, mund ta fitojmë atë. Së bashku mund t’ia dalim”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme