Osmani, partnerëve të ardhshëm: LDK respekton simbolet, shtetin dhe institucionet edhe në opozitë

Prishtinë | 17 Sht 2019 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, e ka mbajtur një tubim me qytetarët e Gjakovës.

Ajo në fillim të fjalimit të saj ka treguar se mësuesja e saj e parë ishte pikërisht nga ky qytet.

“Gjakovë e dashur, Gjakovë e harruar, ka ardhë koha që qeveria e Kosovës me i kthy sytë kah Gjakova”.

“Mësuesja ime e parë ishte nga Gjakova, një gjakovare për të cilën flas shumë shpesh sepse e tregon pikërisht ndjenjën e sakrificës për shtet me secilën shkronjë që na mësoi, me secilin rrugëtim që e kaluam bashkë”.

“Kur shumë pak njerëz guxonin të flisnin për Kosovën Republikë, ajo na mësonte neve si shtatëvjeçar nocionin e Republikës së Kosovës duke e rrezikuar edhe veten dhe gjithçka duke e dhënë shembullin e sakrificës për shtet. Ajo ishte mësuesja gjakovare dhe shembulli i secilit qytetar të Gjakovës”.

Osmani ka thënë se Gjakova e di më së miri që shteti duhet të ndërtohet me dije dhe dituri. Ajo ka thënë se shteti e ka harruar dhimbjen dhe sakrificën e Gjakovës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Askush më mirë se Gjakova nuk e di dhe nuk e kupton se sa me rëndësi është që të ndërtojmë shtet që bazohet në dije dhe dituri sepse Gjakova i ka dhënë jo vetëm LDK-së vetëm trurin e saj akademik Fehmi Aganit, por i ka dhënë gjithë Kosovës disa prej kokave më të ngritura të cilat e ndërtuan shtetin tonë. Dhanë edhe jetën dhe nuk kursyen asgjë”.

“Ka 20 vjet që shteti e ka harruar këtë sakrificë. Shteti ka harruar që në vitin ’99 të gjitha kamerat e televizioneve më të rëndësishme ne botë ishin këtu për të parë me sytë e tyre vuajtjet e nanave tona, për të parë familjet që kishin humbur edhe fëmijët në djep, për të parë e gjithë bota se çfarë sakrifice dhe plage e madhe akoma është e hapur në Gjakovë dhe krejt Kosovën”.

“Askush më shumë se Gjakova nuk e ka përjetuar dhimbjen duke mos e ditur se ku janë të dashurit tuaj. Jemi përfaqësuar nga njerëz që në tavolinën e Brukselit kurrë nuk u kujtuan për ju, u kujtuan për interesin dhe lëkurën e vet, tentuan ta shpëtojnë veten duke e shitur Kosovës”.

“Gjakova dhe krejt Kosova duhet t’u thotë atyre njerëzve lamtumirë përgjithmonë. Boll ma!”.

“Askush më mirë se Gjakova nuk e di se sa e rëndësishme është fuqia e dijes dhe argumentit. Askush më mirë se Gjakova nuk e di që interesat e qytetarëve tanë s’mbrohen më me rrahje gjoksi sepse fuqia më e fortë është ajo e mendjes”.

Osmani, edhe në Gjakovë, e ka përmendur se Kosova po e përjeton ikjen e dytë të njerëzve nga Kosova – edhe 20 vjet pas luftës.

Në ndërkohë, ka folur edhe për kundërkandidatët e saj.

“Oponentët e mi politikë para jush prezantojnë kakofoni, pallavra dhe fraza boshe që i kanë mësuar përmendsh. Oponentët e mi tentojnë në studio televizive me nda pozita për shtet”.

“Le ta dëgjojnë mirë dhe ta mbajnë në mend, vetëm qytetarët e Kosovës e kanë fuqinë që ta përcaktojnë se ku do të jetë LDK-ja”.

“Me besimin që po e marrim nga ju, LDK do të jetë në krye të qeverisë së Kosovës. Ata që ndajnë pozita nga studiot televizive, në radhë të parë e injorojnë vullnetin tuaj dhe e kanë të kotë”.

“Edhe ata që deri sot shkatërruan shtetin, imazhin, miqësitë me shpëtimtarët tanë, por edhe ata që mendojnë se mund të ecim para duke i gjuajtur miqtë tanë me gur”.

Osmani ka thënë se LDK beson në shtet, derisa ka kërkuar edhe nga qytetarët që të besojnë në njerëzit që e duan këtë vend.

“Besoni në njerëz me duar të pastra, besoni në njerëz që e duan këtë shtet, që i shohin si të shenjta miqësinë me SHBA-të dhe Europën. Besoni në njerëz që e ndërtojnë vizionin dhe shtetin duke u bazuar në vlera europerëndimore”.

Ajo ka shtuar se shtylla dhe baza e një shteti është familja duke treguar edhe se çka parasheh programi i LDK-së për familjet kosovare.

“Jo vetëm që është e shenjtë, por vetëm duke u zhvilluar familjet zhvillohet shteti.

“Sot, prindërit e rinj e kanë të papërballueshme financiarisht rritjen e fëmijëve prandaj ne e kemi prioritet që t’ua lehtësojmë nanave dhe baballarëve barrën financiare në vitin e parë të fëmijës”.

“Prandaj, e kemi vendosë prioritet që t’ua lehtësojmë barrën financiare çifteve të reja që blejnë banesa. Prandaj, e kemi vendosë prioritet zhvillimin dhe punësimin”.

Osmani ka dejlaruar se ajo përkulet vetëm para qytetarëve.

“Nuk ka nder më të madh se sa të përkulesh para qytetarëve tu, të tjerët përkulen para njëri-tjetrit, bizneseve të ndyra, para krimit dhe korrupsionit, por unë përkulem vetëm para juve. Besimi juaj është e tëra që më duhet”.

Ajo u ka thënë gjakovarëve se ka parti që po duan ta blejnë besimin e qytetarëve.

“Anë e kënd Gjakovës dhe Kosovës ka parti që po tentojnë me ble besimin tuaj. Mos lejoni askush që t’i vendosni çmim besimit tuaj sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë se sa e ardhmja e fëmijëve tanë”.

Në fund, Osmani e ka ripërsëritur zotimin e saj se nuk ka koalicion me PDK-në.

“Po e përsëris se disa në studio televizive nga frika e tyre po flasin për LDK-në. Po e përsëris për ata në radhë të parë dhe për këdo që tenton të vendosë dyshim mbi përcaktimin dhe determinimin tonë. Nuk ka bashkëpunim me PDK-në. Nuk ka, nuk ka dhe nuk ka”.

“Nuk ka bashkëpunim me ata që e degraduan shtetin dhe e kanë shndërruar Kosovën në një vend prej ku qytetarët duan vetëm me ikë”.

Por, ajo e ka pasë edhe një mesazh për ata që duan të jenë në një koalicion të mundshëm paszgjedhor me LDK-në.

“Ata që na shohin si partnerë të ardhshëm, po ju a jap një mesazh. Në LDK do ta gjejnë një partner që beson në shtet, një parti që respekton simbolet, shtetin dhe institucionet e shtetit edhe kur jemi në opozitë”.

“Në LDK do ta gjejnë një partner të sinqertë që nuk sulmon duke u bazu shpifje dhe gënjeshtra. Por, në LDK nuk do të gjejnë kurrë partner që ua fsheh krimin dhe korrupsionin. Te ne, nuk do të gjejnë partner për amnistimin e krimeve të tjerëve”.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, e ka përmbyllur fjalimin e saj në Gjakovë duke thënë se ka nevojë për secilin qytetar të Kosovës.

“Veç betejat që populli i Kosovës i lufton fitohen. Kjo është betejë e të gjithëve – nuk jam veç unë, jemi të gjithë ne”.

Të ngjashme