Osmani: Partneriteti me SHBA-të, jetik për realizimin për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19

Prishtinë | 26 Pri 2021 | 20:13 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani bisedoi me ambasadorin Philip Reeker, U.D. i ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, i cili e uroi atë për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.

Ambasadori Reeker theksoi se raportet e SHBA-ve me Kosovën janë të bazuara në vlerat demokratike dhe qëllimet e përbashkëta. Më tej, ambasadori Reeker rikonfirmoi interesimin e Presidentit Biden për të mbështetur Kosovën drejt zhvillimit dhe zbatimit të reformave të nevojshme. Po ashtu, ambasadori Reeker potencoi angazhimin e SHBA-ve për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja Osmani nënvizoi se partneriteti me SHBA-të është jetik për realizimin e prioriteteve të institucioneve të Kosovës në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e Kosovës, si dhe zbatimin e reformave te brendshme që do të shtonin punësimin dhe do të luftonin në mënyrë efikase korrupsionin.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, ambasadori Reeker theksoi se SHBA-të inkurajojnë palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e përmirësimit cilësor të procesit të dialogut që bazohet në paprekshmërinë e territorit të Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit e që i kontribuon paqes dhe prosperitetit në rajon. Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën, ndriçimi i fatit të të pagjeturve mbetet prioritet të cilin institucionet synojnë ta shtyjnë përpara dhe për këtë kërkoi përkrahjen e SHBA-ve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme